Sulmuesi i Teutës, Beshiraj: Presioni është normal, ndaj Bylisit vlen vetëm një rezultat
Teuta barazoi pa gola ndaj Elbasanit në një ndeshje ku ekipi durrsak tregoi dominim të qartë, gjatë gjithë lojës. Sulmuesi i Teutës, Mario Beshiraj, në një prononcim për “Panorama Sport”, analizon situatën ku ndodhet Teuta, si dhe për rëndësinë që ka ndeshja me Bylisin.

Mario, sa keqardhje keni që nuk morët tri pikë ndaj Elbasanit?
Bëmë një ndeshje pozitive. U futëm për ta fituar takimin dhe e vetmja gjë që nuk shkoi ishte goli. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, por kishim pritshmëri maksimale. Mund të shënonim më shumë në pjesën e parë po të kishim pasur pak më shumë qetësi, apo edhe sikur të kishim pasur më shumë fat, por ishim të pafat dhe për ketë me vjen keq sepse meritonim tri pikë.
Ka Teuta kapacitetet për gjërat e mëdha?
Jemi bërë shumë ekip i fortë. Janë shumë çuna të mirë, stërvitemi fortë dhe kemi ekip shumë të mirë. Kemi barazuar 0-0. Kemi bërë më shumë raste, por kështu ndodh në futboll. Duhet të mbajmë kokën lartë dhe të fitojmë shumë ndeshje bashkë.
Vetëm 48 orë kohë dhe prisni Bylisin, është ky momentin për tri pikët?
Nëse japim maksimumin e mundësive që kemi dhe bëjmë lojën tonë, besoj te fitimi i ndeshjes, pavarësisht vështirësisë që paraqet. Jemi të detyruar të fitojmë çdo ndeshje. Presioni është normal për një ekip që pretendon. Gjithsesi, e rëndësishme është të marrim pikët maksimale, më pas do të shikojmë. Tashmë jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Bylisit.
Si e shikoni sfidën ndaj Bylisit?
Si çdo sfidë të radhës. Në këto javë ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty aty në performancë. Bylisi ka një ekip me eksperiencë. Ndërsa motivimi unë është i lartë se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.
Ku e sheh Teutën ketë sezon?
Kampionati është i gjatë dhe ka shumë “luftë” nga çdo ekip, por fundi do ta tregojë vërtet cila është skuadra kampione.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













