Suksesi në Europë, Egnatia bëhet gati për… “luftë”
Skuadra e Egnatias vijon përgatitjet intensive në Bullgari, ku është vendosur për fazën kryesore stërvitore në prag të përballjes së parë europiane ndaj kampionëve të Islandës, Breidablik.
Nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova, rrogozhinasit po punojnë me nga dy seanca në ditë, me synimin për të arritur formën maksimale fizike dhe taktike. Kjo fazë përgatitore ka karakter disipline dhe ngarkese të lartë, duke u fokusuar jo vetëm në aspektin atletik, por edhe në ndërtimin gradual të formacionit titullar.
Skuadra është e kompletuar dhe me moral të lartë, ndërsa stafi teknik po punon për të përmirësuar harmoninë mes repartëve dhe për të krijuar një identitet loje që do ta bëjë Egnatian konkurruese edhe në arenën europiane. Ndeshja ndaj Breidablik është objektivi i parë madhor i verës dhe, për këtë, çdo detaj po trajtohet me seriozitet maksimal.
MESAZH PARA EUROPËS Në Bullgari, ku po zhvillojnë fazën përgatitore në prag të ndeshjeve europiane, lojtarët e Egnatias kanë dhënë një mesazh të qartë për sezonin që i pret: “Për ne, Europa është një luftë dhe ne jemi gati ta fitojmë”. Të veshur me uniforma kamuflazhi dhe të pajisur me maska mbrojtëse, futbollistët u përfshinë në një aktivitet ndryshe, një sfidë paintball-i, e cila shërbeu më shumë sesa thjesht për relaks: ishte një metaforë e fortë për frymën dhe mentalitetin me të cilin ata po përgatiten për garat ndërkombëtare. Në foto shfaqen të gjithë si një grup i bashkuar e i motivuar dhe të gjithë në një linjë: gati për betejë. Nuk është rastësi që përzgjedhja e aktivitetit simbolik ishte pikërisht paintball-i, një lojë që kërkon strategji, bashkëpunim, vendosmëri dhe kurajo, ashtu siç do t’u duhet edhe në fushat europiane.
MISIONI Për Egnatian, pjesëmarrja në Europë nuk është më një “shëtitje” apo përvojë kalimtare, por një mision serioz. Klubi nga Rrogozhina, nën drejtimin e trajnerit Edlir Tetova, është i vetëdijshëm për peshën e përgjegjësisë, por edhe për potencialin e skuadrës. Me dy seanca stërvitore në ditë, me ngarkesë fizike dhe taktikë të llogaritur deri në detaj, Egnatia kërkon të arrijë pikën maksimale të formës, për të përballuar me sukses sfidën e parë ndaj Breidablik dhe më pas të vazhdojë më tej. Ky është edicioni ku nuk kërkohen vetëm paraqitje dinjitoze, por rezultate konkrete. Egnatia po e sheh Europën si një fushë lufte ku çdo metër është për t’u fituar dhe kjo foto nuk është thjesht një kujtim nga Bullgaria, por një sinjal për të gjithë: “armët” janë gati, grupi është i bashkuar dhe lufta sapo ka filluar.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













