Statistikat/ Vllaznia luan për prestigj, Partizani për të… jetuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2025 | 10:30

Statistikat/ Vllaznia luan për prestigj, Partizani për të… jetuar

Sot në 16:30 në “Loro Boriçi” një nga “tempujt” e futbollit shqiptar, zhvillohet Vllaznia-Partizani.

Celaj gjyqtari Partizani Vllaznia

Dy nga skuadrat me më histori e hijeshi përballen në një duel, që do të tregojë shumë mbi atë çka i pret dy ekipet në këtë fazë të mbetur të kampionatit të rregullt prej 36 javësh. Vllaznia është e dyta, në pozita “rehatllëku” dhe në një gjendje sportive shumë të mirë. Prej javësh skuadrës po i kthehen gradualisht të gjithë lojtarët e dëmtuar dhe Brdariç, ndryshe nga ndeshja e fundit e luajtur në Tiranë, pritet të zbresë në fushë lojtarët më të mirë. Në ndeshjen e fazës së tretë shkodranët u mposhtën me shifrat 2-0 në “Arenën e Demave”, në një sfidë ku Çoba e Mala luanin si mbrojtës krahu për shkak se mungonte një formacion i tërë për shkak dëmtimesh.

NDESHJET DIREKTE – Ky mund të jetë një detaj i rëndësishëm në fund dhe për momentin avantazhi është për Partizanin. Vllaznia duhet të fitojë me çdo kusht që me Partizanin të ketë avantazhin e ndeshjeve direkte, që janë vendimtare në rast pikësh të barabarta. Por është edhe revansh për Vllazninë, pasi me siguri nuk e ka pritur mirë humbjen në sfidën e fundit në “Arenën e Demave”. Këtë herë do të mundohet të tregojë forcën dhe të demoralizojë një kundërshtar direkt, madje t’i vërë në rrezik edhe praninë në katërshe.

KTHESË – Partizani po përjeton momentin më “të zi” të këtij sezoni, dhe pas tri barazimesh e po aq humbjesh në 6 ndeshje, fitorja është “melhemi” i vetëm që mund ta mbajë gjallë ekipin. Në rast humbjeje, Abilaliaj do të ishte i detyruar ta mendonte seriozisht daljen nga katërshja. Fitorja i konfirmon “Demat” mes më të mirave.

PANORAMASPORT.AL