Statistikat e Vllaznisë/ Balaj dhe mosha, kapiteni lider në minuta dhe gola
Vllaznia të premten në datën 2 janar nisi një mini-fazë përgatitore të dimrit, para rinisjes së gjysmës së dytë të kampionatit. Kështu shkodranët kanë vendosur që të zhvillojnë këtë stërvitje që do ketë një ritëm më të lartë se momentalisht në Ulqin. Me 9 herë kampionët e vendit tonë që do qëndrojnë thuajse 1 javë në qytetin bregdetar.

Kjo pasi aktiviteti futbollistik do rikthehet që në datën 10 janar. Me Vllazninë që do zbresë në fushën e lojës për kupën e Shqipërisë, ku do presë Pogradecin në Shkodër. Gjatë këtyre ditëve tek shkodranët do jetë në fokus rritja sa më shumë e përgatitjes fizike e gjithashtu rikuperimi në më të mirën e tyre të disa fubollistëve që kanë pasur probleme fizike në periudhën e fundit. Teksa do ketë edhe një vëmendje për elementët e rinj që mund t’i bashkohen skuadrës në pjesën e dytë të sezonit nga ekipet zinxhirë të kuqebluve.
Por, përpos përgatitjeve dimërore, një vëmendje shkon edhe tek merkato e klubit. Ku ende në sistemin e FIFA-s rezulton e bllokuar, e prandaj nuk dihet ende saktësisht nëse kuqeblutë do kenë mundësinë e afrimit të futbollistëve të tjerë në këtë afat dimëror apo jo. Pavarësisht se në radhët e kuqebluve duken shumë të qetë dhe optimistë se merkato do zhbllokohet dhe se Vllaznia do të arrijë të përforcohet akoma më tepër për pjesën e mbetur të kampionatit. Emri më i lakuar së fundmi për t’u bashkuar me ekipin e Martinit ka qenë ai i Kevin Dodajt.
Me sulmuesin 20-vjeçar që madje ka qenë edhe pjesë e seancave stërvitore të zhvilluara në Shkodër para përfundimit të vitit 2025. Ku sulmuesi i kombëtares U-21 të Shqipërisë mund të vijë në formën e huazimit nga CSKA Sofia tek Vllaznia. Megjithatë pa marrë dritën “jeshile” nga FIFA, shkodranët do e kenë të pamundur të mundësojnë afrimin e ndonjë futbollisti të ri deri në fundin e muajit janar.
MINUTAT – Pas pak ditësh, Bekim Balaj do të mbushë 35 vjeç, por ai ndonëse është lojtari me moshën më të madhe nga të gjithë lojtarët e Vllaznisë, sërish është aktivizuar më shumë minuta se gjithë të tjerët në gjysmën e parë të kampionatit. Kapiteni kuqeblu dhe Esat Mala janë të vetmit lojtarë të cilët kanë qenë në fushë në të 18 ndeshjet, megjithatë numri 9 i kuqebluve ka më shumë minuta të luajtura, plot 1614 kundër 1312 minutave të Malës.
Kjo tregon edhe për rolin dhe rëndësinë që Balaj ka tek loja e Vllaznisë, por ajo që të bën përshtypje është se ai i ka përballuar me sukses këto ndeshje, ndonëse ka patur edhe lodhje por edhe ndonjë shqetësim dëmtimi por ia ka dalë. Ndryshe nga një pjesë e mirë e titullarëve që kanë kaluar probleme të ndryshme dëmtimesh. Balaj në fakt është shembulli që duhet ndjekur nga të gjithë të rinjtë për seriozitetin në stërvitje. Si edhe mbajtjen e regjimit dhe shumë aspekte të tjera dhe prandaj ia ka dalë jo vetëm t’i luajë të gjitha ndeshjet, por të jetë sërish edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













