Statistika pozitive për ekipin e Dajës/ Dinamo ndërron marsh, blutë “fshijnë” të shkuarën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2025 | 8:45

Statistika pozitive për ekipin e Dajës/ Dinamo ndërron marsh, blutë “fshijnë” të shkuarën

Dinamo e këtij sezoni ka shfaqur shpesh herë oshilacione, megjithatë është aty, mes katër vendeve të para dhe duke bindur me lojë. Padyshim që paraqitjet e bluve këtë sezon, janë vlerësuar nga të gjithë, e madje edhe kur rezultatet kanë munguar, sërish është diskutuar për lojën e mirë që Dinamo ka zhvilluar.dinamoDaja ka ditur ta transformojë skuadrën, duke e kthyer në një ekip cinik, që ka arritur të marrë pikë me kundërshtarë të vështirë, por nuk duhet harruar që edhe hapat fals të këtij sezoni, kanë qenë të shumta, megjithëse mbrojtja shpesh herë ka qenë hermetike duke pësuar me pikatore. Këtë sezon, Dinamo po bën më mirë se sezonin e shkuar, aty ku u eliminua në gjysmëfinalen e “Final 4”, megjithatë fitoi Kupën e Shqipërisë.

PIKËT- Në 15 javët e para të kampionatit, Dinamo ka arritur të grumbullojë 26 pikë, duke numëruar 7 fitore, 5 barazime dhe vetëm 3 humbje. Sezonin e shkuar, pas 15 ndeshjesh numëronte 24 pikë, me 6 fitore, 6 barazime dhe 3 humbje të pësuara. Sa i përket klasifikimit, Dinamo e sheh veten në vendin e tretë në klasifikim dhe ka 3 pikë më pak se vendi i parë që mbahet nga Elbasani, ndërsa sezonin e shkuar, në të njëjtën kohë ishte në vendin e katërt me 4 pikë më pak se Egnatia e vendit të parë. Ndryshe nga ky sezon, në javët e para të vitit të shkuar, Dinamo e pat nisur sezonin me trajner Dritan Mehmetin, para se Daja të merrte drejtimin e skuadrës dhe të ndryshonte ecurinë e kampionatit për skuadrën e tij.

GOLAVERAZHI- Dy ndeshjet e fundit të Dinamos, e kanë ndihmuar jo pak që të përmirësojë statistikat, sidomos pikët dhe golat e shënuar. Me 6 pikët e marra, Dinamo jo vetëm që hyri në “Final 4”, por zuri dhe vendin e tretë dhe tani e sheh veten edhe si skuadra me sulmin më të mirë. Në 15 javët e para të kampionatit, Dinamo ka arritur të realizojë 21 gola, ndërsa sezonin e shkuar kishte 2 gola më shumë, pasi pas javës së 15-të, kishte 23 gola. Sa i përket golave të pësuar, Dinamo e ka mbyllur mirë prapavijën dhe e sheh veten si një nga skuadrat që pëson më pak, me vetëm 8 gola këtë sezon. Diferenca nga sezoni i shkuar, është e madhe pasi Dinamo kishte pësuar dyfishin e golave, plot 16 të tillë. Sigurisht që pësimi i golave të paktë, i ka dhënë besim skuadrës së Dajës edhe atëherë kur nuk ka arritur të marrë rezultate pozitive, duke qenë të bindur se situata do të ndryshonte.

STADIUMI- Ndryshe nga sezoni i shkuar, këtë sezon Dinamo ka vendosur të shpërngulet në Tiranë dhe thuajse të gjitha ndeshjet do t’i luajë në kryeqytet. Sezonin e nisi Dinamo me një ndeshje në Elbasan kundër Vllaznisë e më pas u rikthye në Tiranë duke luajtur në “Selman Stërmasi”. Skuadra e Dajës u detyrua të luante dhe një herë tjetër në Elbasan, para se të vendoste që ndeshjet e tjera t’i zhvillonte në stadiumin “Air Albania”, aty ku duket se ka gjetur shpëtimin. Fusha e “Air Albanias”, i mundëson Dinamos që të luajë pa probleme, duke lejuar skuadrën që të shprehet më mirë në fushë. Këtë, e vërtetoi edhe sfida e fundit në Tiranë, duke fituar derbin me rezultatin 6-2.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL