SOT, ORA 19:00/ Egnatia, kryengritje ose “nënshtrim” pas “grushteve” në Elbasan
Për koiçidencë perandoria e madhe romake, “Via Egnatia”-n e ndërtoi për të pushtuar e sunduar Botën. Për shtypur popuj dhe ata që i ngrinin krye Romës.
Për koiçidencë edhe klubi kampion i Shqipërisë që ka këtë emër, duhet të marrë një vendim të madh, se cilën rrugë do të ndjekë në këtë kampionat. Në futbollin shqiptar, ka momente që testojnë jo vetëm aftësitë në fushë, por edhe karakterin dhe identitetin e një klubi. Për Egnatian, e sotmja në Elbasan nuk është një ndeshje e zakonshme. Sfida me verdheblutë është kthyer si simboli i një dileme më të madhe.
Të ngrihet kundër padrejtësive që ndihen(kampionët mendojnë se janë të sulmuar) ose të pranojë vendimet që të imponohen nga forca të jashtme. Episodi i fundit me Vllazninë, ku Xhemajli u ndëshkua me karton të kuq dhe kampionët braktisën fushën, është një shembull i qartë i tensioneve që ekzistojnë. Masat e Komisionit të Disiplinës, pezullimi i trajnerit Tetova për gjashtë muaj, ndëshkimi i kapitenit dhe shkrirja e gjithë stafit teknik, janë interpretuar si të ashpra, duke krijuar një atmosferë heshtjeje dhe indiference nga kampionët. Heshtja e tyre, megjithatë, nuk është pa kuptim.
Ajo flet për një zemërim të brendshëm dhe për një ndjenjë padrejtësie që ende nuk është përballuar publikisht.Sot, Egnatia përballet me zgjedhjen më të vështirë. Të marrë rrugën e kryengritjes kundër “establishmentit” të futbollit shqiptar (siç mendon ajo), duke sfiduar rregullat e pashkruara dhe pritshmëritë, ose të nënshkruajë dhe të pranojë një realitet që nuk e konsideron të drejtë. Çdo vendim ama e ka edhe një kosto. Në perandorinë romake, kryengritjet shtypeshin me forcë, ndërsa nënshtrimi mund të lërë plagë morale të gjata, por jo pa gjë.
Në fund, kjo ndeshje me Elbasanin nuk është vetëm për golat apo pikët. Është testi i karakterit të një kampioni, reflektimi i guximit për të mbrojtur dinjitetin dhe shpirtin e skuadrës. Nëse Egnatia do të zgjedhë të ngrihet, tifozët e tyre do të shohin jo vetëm një ndeshje, por një deklaratë të fuqishme se një kampion nuk dorëzohet lehtë. Nëse zgjedh të nënshtrohet, do të jetë një mesazh se edhe kampionët, ndonjëherë, janë të detyruar të lëshojnë terrenin për të mbijetuar…
PANORAMASPORT.AL













