Skukës i rikthehet shiriti dhe përqafon Garsian, Partizani fiton harmoninë
Minuta e 74-t ishte mjaft e veçantë dhe tregoi shumë te ndeshja Flamurtari-Partizani. Trajneri Kërnaja vendosi të zëvendësonte Xhuliano Skukën, i cili nuk mund të vazhdonte më tej. Vendin e tij e mori Rrok Toma. Skuka përqafoi fillimisht Tomën dhe më pas Garsian, i cili priste të merrte vendin e Adnard Mehmetit. Partizani ishte në avantazh 0 me 1, pasi Trashi kishte shënuar autogol.

Interesant është përqafimi i Skukës me Garsian. Një moment ku ndërsa Partizani nuk kishte presion pasi ndodhej në avantazh, po ashtu ra në sy harmonia mes dy sulmuesve. Garsia dhe Skuka bëheshin pjesë e një ngjarje të shëmtuar në gusht, që solli përçarje në fushë. Për rastin në fjalë, Skuka ndëshkohej nga klubi.
SHIRITI- Partizani dënoi Xhuliano Skukën, duke i hequr shiritin e kapitenit pas ndeshjes me Teutën në “Arena e Demave”. Të kuqtë barazonin pa gola, ndërsa episodi më i veçantë i ndeshjes u regjistrua nga Skuka, i cili u përplas fizikisht me Garsian. Për këtë klubi vendosi t’i hiqte shiritin. Vendim i cili duket se ka zgjatur vetëm pak kohë. Kërnaja e riktheu si kapiten Skukën në Vlorë, pikërisht ndaj Flamurtarit. Vendimi u mor në mungesë të Marçelino Prekës dhe Alban Hoxhës. Skuka ia dorëzoi shiritin Albion Markut, pasi nuk mund të vazhdonte më tej dhe la fushën e lojës në Vlorë.
PRESIONI- Lojtarët e Partizanit po përjetonin si rrallë herë, një presion mjaft të madh. Kjo për shkak të katër humbjeve radhazi ku më e rënda ishte në derbin me Tiranën. Fitorja e vetme me Vorën dhe më pas barazimi me Teutën e mbanin ekipin në vendin e parafundit me 4 pikë në gjashtë javë. Triumfi në Vlorë duket se ka çliruar tashmë ekipin, ndërsa mbetet për t’u parë si do të jetë paraqitja ndaj një ekipi si Egnatia.
Klubi rrogozhinas është kthyer në makth për Partizanin, duke iu referuar dy edicioneve të kaluara. Fillimisht fitorja në finalen e “Final Four” në vitin 2024 dhe më pas eliminimi në gjysmëfinalen e Kupës dhe po ashtu të “Final Four”, tregojnë ndikimin që Egnatia ka pasur për fatet e Partizanit.
PANORAMASPORT.AL













