Skandali, bari dhe mbeturinat pushtojnë stadiumin e Librazhdit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2016 | 17:46

Skandali, bari dhe mbeturinat pushtojnë stadiumin e Librazhdit

Mure të shkatërruara, bari që ka pushtuar ato pak shkallë që kanë mbetur, kanalizime ku epidemitë mund të përhapen shumë lehtë dhe një fushë jashtë çdo lloj standardi. Stadiumi i Librazhdit mund të konsiderohet i “vdekur”.

13939995_10208757900738803_1720094344_o

Situata është alarmante, në një kohë që nuk duket se ka shpresë për ndërhyrje, të paktën në një periudhë afatshkurtër. Ish-kryebashkiaku i Librazhdit, Shefki Çota dhe ai aktuali, Kastriot Gurra apo edhe deputeti i zonës, Taulant Balla, kanë premtuar qindra herë për një impiant modern në Librazhd. Madje, projekti që qarkullon është mahnitës dhe të le pa fjalë. Por, e vërteta është se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim dhe Sopoti vazhdon t’i luajë ndeshjet jashtë fushës së vet.

Rrënimi

Që prej ndërtimit të këtij stadiumi në vitet 50-të, nuk është bërë asnjë ndërhyrje. Përveç sistemimeve dhe pastrimeve të herëpashershme, nuk ka ndodhur asnjë ndërhyrje tjetër. Por, vitet e fundit, gjithçka ka degraduar në ekstrem. Prej dy sezonesh, skuadra nuk luan më në këtë stadium, pasi ai nuk plotëson asnjë kriter dhe në këtë mënyrë është lënë krejtësisht pas dore.

13951006_10208757901338818_334964252_o

Në pamjet aktuale që ka arritur të sigurojë gazeta “Panorama Sport”, shihet qartë se në çfarë grade ndodhet aktualisht stadiumi. Ato pak shkallë që kanë mbetur nuk duken më thuajse fare, pasi janë të mbuluara nga bari. Dhomat e zhveshjes janë shndërruar në “banje publike”, ku shkatërrimi duket qartë. Një pjesë është e mbushur me një grumbull mbeturinash të palëvizshme prej shumë muajsh.

Gjithashtu, për fushën thuajse nuk kujdeset më njeri dhe një pjesë e mirë e saj është krejtësisht e papërdorshme për shkak se bari është rritur shumë dhe është e pamundur të luash normalisht. Tifozët kanë ngritur shumë herë zërin, por heshtja e drejtuesve vendor vazhdon.

Projekti si duhej te ishte stadiumi i Librazhdit

Projekti si duhej te ishte stadiumi i Librazhdit

Ndërkaq, prej më shumë se tri vitesh, qarkullon në letër dhe në internet projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Librazhdit. Por, tifozët dhe lojtarët duhet të kënaqen vetëm me faktin që e shohin në letër. Kostoja e lartë duket se është problemi kryesor. Por, gjithsesi, premtimet janë të përhershme dhe nuk rreshtin në asnjë moment.

Ledion Qoshku