Situata te Partizani, tronditja e paralajmëruar e “Demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2025 | 22:25

Situata te Partizani, tronditja e paralajmëruar e “Demave”

Partizani i vitit 2022, 2023 dhe 2024 ishte mjaft konkurrues. Në renditjet e kalendarit vjetor mbante vendin e parë duke vënë në pah punë e grupit të mirë. Rënia e madhe përkon pikërisht me këtë vit, ndërsa zanafilla është nga edicioni 2024/25. Partizani mori vendimin drastik që të shiste kartonin e pestë futbollistë titullarë.

Partizani

Fakt është se dëshira e vetë lojtarëve ka qenë për t’u larguar, pas promovimit të madh që kishin fituar nga Partizani. Me përjashtim të Maget në Spanjë, pjesa tjetër u shit në Ukrainë. Lëvizja e stafit teknik dhe më pas zëvendësimet e lojtarëve në fjalë nuk kanë rezultuar të duhurat. Të paktën deri tani ku vërehet se janë shënuar 4 gola në kampionat dhe pësuar 13 të tillë. Golavarazh -9, si asnjë skuadër tjetër pas një faze të mbyllur.

TRONDITJA- Klubi i Partizani dha dritën jeshile në sezonin e kaluar, për të shitur Maget Gueje, Arinaldo Rrapajn, Tedi Carën, Andi Hadrojn dhe Kristian Mban. Kjo lëvizje nuk ka rezultuar e duhura, pasi të kuqtë humbën identitetin dhe pse fituan miliona euro. Pasojat e vërteta po vërehen pikërisht në këtë sezon, që përkon me 80 vjetorin e klubit.

Fillimisht eliminimi që në turin e parë të Ligës së Konferencës dhe tashmë vendi i tetë në renditje. Basti i madh për shitjen e lojtarëve më të spikatur dhe zëvendësimi i tyre në merkato, nuk është fituar.

PANORAMASPORT.AL