Shqipëria, gati për Europianin e mundjes. Sot nisin duelet në Tiranë
Shqipëria është konsoliduar si një bazë e rëndësishme ndërkombëtare për sportin e mundjes, teksa gjatë viteve të fundit ka pritur një seri evenimentesh madhore të këtij sporti.
Aktiviteti më i fundit do të nisë sot, pasi në Tiranë nga data 20 deri më 26 prill do të zhvillohet Kampionati Europian i mundjes për të rritur. Një event prestigjioz që ka sjellë në vendin tonë më shumë se 400 mundës nga e gjithë Europa, të cilët do të matin forcat për medalje në stilin greko-roman dhe atë të lirë.
Ndërkohe, dje u mbajt Asambleja e Përgjithshme e Federatës Europiane të Mundjes, një ngjarje e rëndësishme që mblodhi përfaqësues nga të gjitha vendet anëtare. Gjatë takimit u diskutuan çështje thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të mundjes europiane, planet për sezonin e ardhshëm dhe iniciativat për promovimin e sportit tek të rinjtë.
Tashmë do të jetë radha e tapetit, me elitën e mundjes europiane që do të luftojë për medaljet, ndërsa spektakli dhe emocionet janë të garantuara në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik në Tiranë.
PANORAMASPORT.AL













