Shqipëria 2025 në një 60-vjetor të bujshëm britanik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2025 | 23:00

Shqipëria 2025 në një 60-vjetor të bujshëm britanik

Nga BESNIK DIZDARI

Tashmâ gjithçka është e qartë. Sh qipëria kombëtarase e futbollit për herë të parë në histori mund të jete krejt afër për të marrë pjesë në finalet e një Kampionati Botëror. Në ndeshjen e saj të fundit edhe pse ajo humbi në Tiranë 0-2 me Anglinë, bukur nja 22.000 spektatorë të Tiranës e lanë stadiumin”Air Albania”, si të thuash, me buzë në gaz.

strakosha kejn

Ndodhi që për herë të parë publiku i Kombëtares Shqiptare dilte i gëzuar mbas një humbjeje. Jo thjesht se ajo ishte një humbje normale përballë një prej skuadrave më të forta të Botës, por sepse pa filluar kjo ndeshje, Shqipëria kishte fituar të drejtën e saj për të hyrë në epilogun vendimtar të një play -off-i të rrufeshëm prej ku mund të mbërrijë finalet e një Botërori. Pa harruar këte tjetrën që na thotë se ndonëse humbi 0-2, Shqipëria për plot nja 70 minuta ishte mëse dinjitoze.

Kjo ishte mbyllja e këtij edicioni kualifikues për Kupën e Botës me britanikët e mëdhej, çka papritmas na përkon me një 60 – vjetor po britanik, viti më vit, muaj më muaj, e thuajse ditë më ditë. Shqipëria luajti me Anglinë britanike më 16 nëntor 2025. Ajo kishte luajtur për herë të parë me një kombëtare britanike, plot 60 vjet më po në muajin nëntor.

24 nentor

Ka qenë 24 nëntor 1965. Ka qenë Shqipëria – Irlanda e Veriut 1- 1. Rezultati që shkaktoi një bujë europiane, sepse u eliminua një nga Kombëtaret më të forta britanike e asokohe që ishte Irlanda e Veriut. Mirëpo. a ka kuptim që në ditën e “nënshkrimit” të një suksesit të madh kualifikues të Shqipërisë në Kupën e Botës, të përkujtojmë një 60 vjetor fillese e 24 nëntorit 1965, kur Shqipëria shkakton eliminimin e Irlandës së Veriut në të mirë të Zvicrës, por duke i përfunduar ndeshjet e saj në këte pamje tronditëse, që sot mund të quhet gati e turpshme? Tek është:

1. ZVICRA 9 4 1 1 7-3

2. IRLANDA E VERIUT 8 3 2 1 9-5

3. HOLANDA 6 2 2 2 6-4

4. SHQIPERIA 1 0 1 5 2-12

Kjo renditje do të thotë se Shqipëria nuk ka fituar asnjë ndeshje, ka humbur plot 5 nga 6 që ato ishin, dhe ka marrë vetëm 1 barazim, 1-1, ky me Irlandën e Veriut. Dhe ka shënuar vetëm 2 gola. Më parë Shqipëria ishte mundur dy herë 0-2 nga Holanda, 0-2 e 0-1 nga Zvicra dhe 1-4 nga Irlanda e Veriu. Ndonëse ato kanë qenë ndeshje tejet të diskutueshme, madje edhe me nivel të një Shqipërie e mbushur me talente. Por për fatin e tyre ata djem të rrallë vinin prej një futbolli mirëfilli amator. Kjo ka qenë pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Kupën e Botës.

Kësisoji ne jemi po aq edhe në 60 vjetorin e pranisë së Shqipërisë në ndeshjet për Kupën e Botës – ndryshe Kampionati Botëror i Futbollit. Ky është një 60 vjetor që na “e festoi” bukur mirë kjo Kombëtare e vitit 2025 me arritjen e saj të madhe. Dhe le të shkojmë tash te barazimi famëmadh me britanikët e Irlandës së Veriut të 24 nëntorit 1965. Vërtet, çfarë kohe që ka qenë ajo edhe për sportin e futbollin e Shqipërisë!… Pat ndodhur që, nga 7 maji 1965 kur skuadra e Zyber Konçit dorëzohej 1-4 pa kushte në Belfast, para forcës së Irlandës së Veriut, e deri te 24 nëntori 1965 kur britanikët vijnë për kthimin në Shqipëri, që futbolli shqiptar të përshkohej në ndeshje kineze të pafryt.

Ndonëse kur mbrrin vjeshta e parë, del në skenë 17 Nëntori (SK Tirana) në Kupën e Kampioneve 0-0 dhe vetëm 0-1 me Kilmarnokun e Skocisë, po britanike. Mandej një fitore e bukur e saj 2-0 me Beshiktashin e Turqisë për Kupën Ballkanike dhe drejtpërsëdrejti te 24 nëntori 1965. Eshtë një ditë gri, vjeshtë tipike e Tiranës, shi i imtë dhe Loro Boriçi i thirrur kësaj here për të qëndruar gjatë, ka ngjarjen e jetës së tij.

Ajo nuk është një ndeshje e rradhës, sidomos për veriirlandezët, të cilët kishin skuadrën më të madhe të jetës së tyre dhe ishin pretendentë të sigurtë për të shkuar në finalet e Londrës për ate që njihej si Kupa e Botës 1966.

Për këte mjaftonte vetëm fitorja e Tiranës e cila, të paktën në letër, ishte për ta një formalitet, kur dihej se vetëm pak ditë më parë ata kishin mundur 3-2 Skocinë për Kampionatin Britanik. E rrethuar me një pasiguri të plotë prej ndërrimit të trajnerit, e deri te varfëria e një mjedisi shqiptar të futbollit në gjithanshmërinë e vetë jetës shqiptare plot trazime, e deri te kundërshtari, me në krye George Bestin e tij, i cili konsiderohej si një nga më të mirët e Botës (Topi i Artë më 1968); e deri te fakti i rëndë i të gjitha ndeshjeve të humbura të Shqipërisë, kjo e “Qemal Stafës” pra, nuk pritej të shtonte diçka më tepër se sa vazhdimësia e rezultateve rënëse të Kombëtares të deri para pak.

Mirëpo, ja që një njeri megjithate, punonte në heshtje, pa bujë, pa intervista gazetarësh e zhurma të papërmbajtëshme siç ngjet sot me trajnerët e Kombëtares, disi në mbrapaskenë madje, me një shpirt të madh të një force të mbrendëshme që veç ai e kishte. Ky ishte Loro Boriçi, ai i cili do të përballohej me mungesën e madhe. Ai nuk do të kishte dyshen historike të Kombëtares, ate Pano – Bushati, e cila kishte sunduar gjithë këto vite ‘60 vetë mjedisin e futbollit shqiptar.

Nëse Pano, për ne legjendar, ishte i traumatizuar, Bushati i madh tashmâ sapo largohej nga Kombëtarja dhe vetë futbolli. Boriçit do t’i duhej të ndërtonte diçka të re, madje pikërisht në bërthamën e skuadrës. E këtu ai ishte i paarritshëm, një njohës i madh, një praktik tejet modern, një vlerësues i rrallë i periudhës apo situatës që futbolli dhe futbollistët mund të kalonin. Dhe ajo çka është më e rëndësishmja – një besues gati fanatik i talenteve të reja.

Do t’i shfaqet Irlandës së Veriut me një 11- tësh mjaft të ri dhe tri fanela janë krejt të reja, teksa do të vishen për herë të parë, pa e ndjerë asnjëherë afshin e djersës kombëtarase. Ata ishin Gëzim Kasmi, Foto Andoni dhe Bashkim Rudi. Para portjerit Mikel Janku ishte katërshja e fuqishme e 17 Nëntorit, Frashëri, Halili, Kasmi, Ali Mema e cila ishte shfaqur në ato vite si një katërshe për ne disi magjike që kishte sunduar gjithë forcën e një 17 Nëntori, i cili sapo ndrronte historinë e futbollit shqiptar të padronizuar qysh prej 20 vjetësh prej Partizan/Dinamos.

Mbas kaq kohësh, Boriçi kishte ndërtuar një Kombëtare prej dy blloqe skuadrash, kur kujton se Janku, Shllaku, Andoni, R.Rragami e Haxhiu vinin prej këtij Partizani ’65. Kur ndërkohë Zhega i Dinamos e Bashkim Rudi i Labinotit të Elbasanit mbasi kishin në mes Mexhid Haxhiun disi të tërhequr, formonin një trio sa elegante e rinore aq dhe teknike e efikase.

Veriirlandezët e fortë shënojnë me Irvine në të 58′ dhe ndonëse vonojnë kësisoji të kryesojnë, ndjehen të qetë për fitoren të menduar para kohe. Po tashmâ shqiptarët ia arrijnë të barazpeshojnë gjithçka dhe minuta 77 sjell barazimin me golin historik të Zhegës realizuar me krye mbas një zhytje të 19-vjeçarit të Shqipërisë, i cili ka intuitën të llogarisë me saktësinë e një kompjuteri topin që i vjen nga Rudi: 1-1 shkon në histori! Madje Shqipëria mbas barazimit kërkon fitoren.

Ajo nuk kishte dhënë qysh prej Ballkaniadës 1946 një ndeshje kaq të jashtzakonëshme të një rinije futbolli që po habiste edhe vetë spektatorin shqiptar, i cili kishte gati 20 vjet që nuk përmendte gjë tjetër veç Ballkaniadës. 19-vjeçarë janë Foto Andoni, Medin Zhega; 21-vjeçar Ramazan Rragam; 22-vjeçarë Mexhid Haxhiu, Ali Mema e Bashkim Rudi. Asnjëherë futbolli ynë deri më sot madje, nuk do të kishte një Kombëtare kaq të re, diçka më tepër se 22.5 vjeç!

Në të vërtetë një “Shpresë” NEN 23, siç ishin asokohe. Këtu po aq sa rezultati, qëndronte edhe ky sensacion tjetër, që mund ta quajmë anagrafik, i rinisë së kësaj Shqipërie. Rikthimi i Loro Boriçit në krye të kuqezinjve ishte vërtet triumfal. Papritmas Shqipëria bëhet epiqendër e komenteve të shtypit europian. Eliminohet Irlanda e Veriut dhe në finalet e Londrës shkon Zvicra, trajneri i së cilës i pranishëm në stadium, Dr. Alfredo Foni – Kampion i Botës me Italinë 1938 – teksa si lojtar i Juventusit në vitet ’40 do të kishte kundërshtar edhe Loro Boriçin e Lazio të Romës, është në eufori. Dhe teksa përshkon plot gjallëri hollin e Hotel Dajtit, kur takon golshënuesin Din Zhega kërkon t’i dhurojë sahatin e tij si kujtim. E falenderon fort skuadrën shqiptare e cila atij si trajner i kishte blatuar dhuratën e jetës, tek i kishte dhënë Zvicrës së tij biletën për në finalet e Londrës.

Gazeta “Dejli Telegraf” shkruan se “mbas golit, skuadra shqiptare tregoi një ringjallje të mrekullueshme”. “Shqiptari Zhega (19-vjeçar), – shtojnë agjensitë e lajmeve,- eliminoi nga Kupa e Botës Irlandën e Veriut me një gol të bujshëm të shënuar me krye.” Loro Boriçi e linte mbrëmbjen e asaj të mërkure nëntori duke shkuar i vetëm për në shtëpinë e tij, i qetë tashmâ, duke e pritur me besim të madh të ardhmen e kësaj Kombëtareje të cilën e kishte ndërtuar vetëm për pak ditë, ndërsa gjithë Tirana nuk merrej me gjë tjetër, veç me mosluajtjen e Panos. Kishte triumfuar duke thyer konceptin e “yllit të vetëm” të skuadrës, duke paraqitur në fushë forcën e kolektivit rinor.

Kishte një mbrojtje të mrekullueshme të Tiranës, kishte një portjer të një stili tjetër plot intuitë si Janku, ndërkohë që gjysmëmbrojtja, siç emërtohej asokohe, e udhëhequr prej Lin Shllakut të kudondodhur, sapo paraqiste për herë të parë në Shqipëri skicën e atij që në Europë po thirrej “mesi i fushës”. Për trajnerin Boriçi, Mexhid Haxhiu ishte një lojtar tejet i rëndësishëm, një qendërsulmues herë i përparmë e herë i mbrapmë, një lloj regjizori i sulmit, duke patur në krah një Ali Memë po kaq të rëndësishëm. Ndërkohë që kapiteni Shllaku gradualisht shndrrohej pjesë e një mbrojtjeje ku Skender Halili mund të ketë zhvilluar ndeshjen e tij të jetës.

Eshtë vërtet e çuditëshme se si Boriçi ia kishte arritur që midis Foto Andonit, Medin Zhegës dhe të “të panjohurit” fort të talentuar Bashkim Rudi të Labinotit të Elbasanit, të krijonte një treshe të sinkronizuar aq saktë, ndonëse të tre dukeshin tipa të ndryshëm futbollistësh. E kishin një gjë të përbashkët megjithate: gênin e sulmuesit. Në 10 minutat e fundit të lojës ata kanë qenë thuajse të papërmbajtshëm.

E pra, çfarë mund dhe duhej të ndodhte mbas kësaj mrekullie befasuese të futbollit shqiptar? Shumë thjeshtë: kjo Kombëtare duhej të mbahej në pëllëmbë të dorës. Shqipëria dhe Loro Boriçi kishin realizuar zbulimin sensacional të një 11-shi thuajse spektakolar dhe puna e parë që duhej bërë ishte krijimi i kushteve për vazhdimësinë e kësaj Kombëtareje të rrallë. Mirëpo, ja që është vërtet fantastike kur kujton sot se si me këte ndeshje historike të Irlandës së Veriut, shteti i vë përsëri drynin Kombëtares!

Ajo “zhduket” të nesërmen e barazimit sensacional me britanikët, për t’u harruar deri përtej një viti e gjysëm. Cilët kanë qenë ata njerëz që i janë nënshtruar një mbylljeje të tillë? Eshtë një retorikë. Ata janë nënshtruar ashtu siç nënshtrohej i gjithë populli, në të gjitha fushat e jetës. Duhej të mbërrinte viti 1967 që ta thërriste këte Kombëtare të zhdukur qysh prej një viti e gjysëm, në ndeshjen e 8 prillit 1967 të Dortmundit me RFGJ-në në premierën e Kampionatit të 3-të Europian.

Eshtë një 6-0 i pamshirshëm ku mbas gjithë kësaj ndërprerjeje formacioni i Boriçit është disi i shpërbërë. Madhështia e Skender Halilit shkatërrohet prej burgosjes kriminale të një shteti po kaq të pamshirshëm duke rrënuar jetën e pafajshme të një prej shqiptarëve më të mëdhenj të futbollit, të një talenti të përmasave europiane siç qe ky kollos i futbollit. Gëzim Kasmit i hiqet e drejta për të luajtur futbollin e tij të shkëlqyer duke “u internuar” në Çorovodë dhe thika “biografi” pret nga Kombëtarja edhe një tjetër talent të pazëvëndsueshëm siç qe Mexhid Haxhiu.

Kanë ndodhur edhe këto në Shqipërinë tonë, fatkeqësisht sot të harruara, të pakujtuara ose të kujtuara jo saktë prej të paditurve, të flakura tej si episode të mjegullt, kur kanë qenë aq të qartë madje, diçka që për fat të keq shumkush nuk don t’i mbajë as në histori. Nuk mund te them se kishim parashikuar një Loro Boriç i cili kishte ruajtur sensacionin e dytë të madh megjithate.

Do të ishte 17 dhjetori 1967, e diela hyjnore e Kombëtares së Loro Boriçit: Shqipëria – RF e Gjermanisë 0-0! Por kjo është një histori tjetër… Ndërsa mua po më pëlqen ta mbyll këte kapitull të parë të një cikli historik që do mbërrijë te shkrimet e mëpasme deri në analitikë, madje gjeopolitikë e kritikë – në kuptimin e mirë të kësaj fjale – duke iu kthyer edhe një herë Irlandës së Veriut britanike të 60 vjetëve më parë.

Dhe vështroni tashti skedën e saj ndeshjeje për të kuptuar jo pak nga vlerat e rezultatit. Ku skeda e botuar këtu në këte gazetë, është më e saktë se askund tjetër, për çka sot përveç arkivit tonë të pasur, na ndihmojnë fort edhe të dhënat e arkivave të internetit, pra jo përherë tonat, siç aty këtu ndokush i përvetëson. Eshtë kjo, pra:

irlanda

SHQIPERIA – IRLANDA E VERIUT 1-1

24.11.1965. Tiranë. St.Kombëtar “Qemal Stafa”. * Kampionati Botëror 1966

Golat: W.Irvine 58′, Zhega 77′.

SHQIPERIA: JANKU (Partizani), FRASHERI (17 Nëntori), HALILI (17 Nëntori), KASMI (17 Nëntori), A.MEMA (17 Nëntori), SHLLAKU (Partizani), ANDONI (Partizani), R.RRAGAMI (Partizani), ZHEGA (Dinamo), HAXHIU (Partizani), RUDI (Labinoti). Trajner: Loro BORIÇI.

IRLANDA E VERIUT: JENNINGS (Tottenahm Hotspur), MAGILL (Brighton & Hove Albion), ELDER (Burnley), HARVEY (Sunderland), T.NEILL (Arsenal), NICHOLSON (Huddersfield), CROSSAN (MNanchester City) W.IRVINE (Stoke City), McLLROY (Stoke City), DOUGAN (Leicester), BEST (Manchester United). Trajner: Bertie PEACOCK.

Gjyqtar: Petre Sotir (Rumania).

Shikues: 16.381.

Dhe?… Tottenham Hotspur, Arsenal, Manchester City, Manchester United!… Kaq mjafton për të kuptuar se me ke ka barazuar Shqipëria e vitit 1965. Të 11 futbollistët veriirlandezë e shihni që i përkasin pra, klubeve të Anglisë, jo të Irlandës së Veriut! E pra, çfarë Irlande ka qenë ajo? Dhe vështroni se cila është ecuria e saj e atyre javëve për të mbërritur te 1-1 “fatkeq” i Tiranës. Dihet ndërkaq, Anglia si Anglia! Më saktë: Britania si Britania! Pjesëmarrja e “shteteve” të saj në eliminatoret e Botërorit 1966, nuk e pengonte që njëkohësisht ajo të zhvillonte edhe Kampionatin e saj të Britanisë së Madhe. Ndodhte që pa u trembur assesi, ata zhvillonin edhe këte Kampionat Britanik që është më i vjetri në historinë e njerëzimit. Kishte nisur në vitin 1883 të Shekullit XIX.

Kampionati Britanik i vitit 1965-1966 ka qenë ndër më dramatikët. Ka qenë një duel i ashpër Angli – Irlandë e Veriut. Dhe mû në prag të ndeshjes me Shqipërinë, më 2 tetor 1965, Irlanda e Veriut fiton 3-2 në Belfast me Skocinë. Dhe me një përkim krejt të rrallë. Ajo luan po me atë 11-sh që do të luante në Tiranë.. Mbas pak, vetëm dy javë para ndeshjes së Tiranës, më 10 nëntor 1965, po për Kampionatin Britanik, Irlanda e Veriut luan në Wembley ndeshjen me Anglinë, të cilën e humbet 2-1 (Baker 19’, W.Irvine 21’, Peacock 73’) para plot 70.000 shikuesve. Renditja e Kampionatit Britanik do të ishte kjo:

1. Anglia 5 2 1 0 6-4

2. Irlanda V. 4 2 0 1 8-5

3. Skocia 2 1 0 2 9-8

4. Uellsi 1 0 1 2 2-8

Shihet që Anglia e ka fituar këte titull të Kampiones së Britanisë së Madhe me vetëm 1 pikë mbi Irlandën e Veriut, për çudi duke pasë golaverazhin më të mirë kjo e fundit. Dhe mbas dy javëve, krejt e qetë, Irlanda e Veriut mbërrin në Tiranë për t’u eliminuar nga Kupa e Botës e edicionit të vitit 1966. Edicion ku Britania e Madhe ishte e sigurtë se në finalet e Londrës ku do të triumfonte Anglia, do të kishte të pranishme dy kombëtare të saj: Angli e Irlandë e Veriut. (Ashtu siç me të drejtë iu shkon nëpërmend shqiptarëve të sotëm se mund të kenë edhe ata në botëror dy kombëtare shqiptare: ate të Shqipërisë dhe këte të Kosovës.).

Ky është futbolli britanik Këto janë kapriciot e tij unikale. Siç qe edhe kjo fitore e Anglisë të dielën që shkoi, teksa na befasoi se nga ndeshja me Serbinë fituar po 2-0 tri ditë më parë, në 11-shin e Tiranës ajo pati 7 lojtarë të tjerë! Kjo është forca e futbollit britanik, atij anglez. Kujtoni që në këte edicion të vitit 2025, Anglia arriti në finalet e Botërorit 2026 me të 8 ndeshjet e fituara dhe me golaverazhin historik 22-0. Anjë gol i pësuar, madje.

Dhe Shqipëria e dyta! Kështu pra, Irlanda e Veriut e 60 vjetëve më parë dhe Anglia e 60 vjetëve më mbas, që “çuditërisht” paska në krah Shqipërinë 2025. Në intervale do të vazhdojmë më tej me ciklin tonë në faqet e “PanoramaSport”. Madje edhe me befasina tregimtare “të çuditshme”…

* Ribotimi i këtij shkrimi është i rezervuar