Shpresë për mbijetesën, Tirana është në ngjitje. Bardheblutë rriten fazë pas faze në kampionatin e sivjetshëm
Fundi i tabelës në Kategoria Superiore po hyn në një fazë vendimtare, ku çdo pikë ka peshë mbijetese dhe çdo gabim mund të kushtojë shumë. Katër skuadrat e pozicionuara nga vendi i 7-të deri në të 10-tin, Bylis, Vora, Tirana dhe Flamurtari, janë përfshirë në një garë të fortë për të shmangur zonën e rrezikut.

Në analizën e katër fazave të kampionatit, bie në sy balanca mes Bylisit dhe Vorës, që kanë grumbulluar nga 30 pikë secila. Ballshiotët kanë qenë modeli i qëndrueshmërisë në tre fazat e para, duke marrë nga 9 pikë në secilën, por rënia në fazën e katërt (vetëm 3 pikë) ka hapur sërish garën. Nga ana tjetër, Vora ka treguar një ecuri më të balancuar, pa luhatje të mëdha, duke mbetur gjithmonë në kontakt me rivalët direktë.
Pak më poshtë renditet Tirana me 28 pikë, një skuadër që ka kaluar nga ekstremi në ekstrem. Bardheblutë vuajtën shumë në fazën e dytë, por reagimi në fazën e tretë, ku siguruan 11 pikë, i riktheu fuqishëm në garë. Forma e tyre në fazën e fundit (7 pikë) tregon se janë ende një faktor që mund të ndikojë në fatet e mbijetesës. Situata më e vështirë paraqitet për Flamurtari. Vlonjatët kanë grumbulluar 25 pikë dhe janë penalizuar ndjeshëm nga forma e dobët në fazën e katërt, ku morën vetëm 1 pikë.
Edhe pse kishin dhënë sinjale pozitive në fazën e tretë (10 pikë), rënia e fundit i ka futur në presion maksimal. Në këtë moment të sezonit, diferencat janë minimale dhe çdo ndeshje merr karakter finalje. Ekipet jo vetëm që duhet të bëjnë llogaritë me kundërshtarët, por edhe me presionin psikologjik që sjell lufta për mbijetesë. Fundi i tabelës në Superiore premton dramë deri në javën e fundit, ku një gol, një pikë apo edhe një episod mund të bëjë diferencën mes qëndrimit dhe rënies nga kategoria.
ANALIZA – Nëse analizohen katër fazat e kampionatit, tabloja që krijohet është sa interesante, aq edhe dramatike. Bylisi shfaqet si skuadra më e qëndrueshme për pjesën më të madhe të sezonit. Tre faza radhazi me nga 9 pikë tregojnë një ekip të balancuar dhe praktik, që ka ditur të marrë maksimumin e mundshëm pa bërë shumë bujë. Por në momentin më vendimtar, në fazën e katërt, kjo qëndrueshmëri është thyer ndjeshëm. Vetëm 3 pikë në këtë segment kanë rikthyer pasigurinë dhe kanë futur ballshiotët në një situatë më të ndërlikuar nga sa dukej më parë. Një trajektore ndryshe, por po aq domethënëse, paraqet Vora. Fillimi i tyre është më i miri mes katër skuadrave, me 10 pikë në fazën e parë, ndërsa më pas vjen një rënie graduale në çdo fazë. Nuk ka një kolaps të menjëhershëm, por një zbehje të vazhdueshme të performancës, që tregon se skuadra ka humbur freskinë dhe ndoshta është bërë më e lexueshme për kundërshtarët. Megjithatë, stabiliteti relativ e mban ende në lojë, edhe pse trendi nuk është në favor të saj.
RINGRITJA – Nga ana tjetër, Tirana përfaqëson historinë e një ringritjeje. Bardheblutë e nisën sezonin me shumë luhatje dhe rezultate të dobëta, sidomos në fazën e dytë, por reagimi i tyre në vazhdim ka qenë i fortë. Me 11 pikë në fazën e tretë dhe 7 në të katërtën, Tirana është skuadra në formën më të mirë në këtë moment. Ky ritëm në rritje i jep një avantazh të rëndësishëm psikologjik në një garë ku besimi dhe momenti shpesh peshojnë më shumë se çdo statistikë tjetër. Krejt e kundërta ndodh me Flamurtarin. Vlonjatët, pas një fillimi të vakët, dukeshin në rrugën e duhur falë rritjes progresive në fazën e dytë dhe të tretë, ku arritën respektivisht 9 dhe 10 pikë. Por në fazën e katërt gjithçka është përmbysur. Vetëm 1 pikë në këtë periudhë ka zhdukur gjithë punën e mëparshme dhe e ka futur skuadrën në një krizë të thellë rezultatesh dhe besimi. Në këtë panoramë, bëhet e qartë se gara në fundin e tabelës nuk përcaktohet vetëm nga totali i pikëve, por mbi të gjitha nga forma aktuale. Tirana vjen në rritje dhe duket më e përgatitur për sprintin final, ndërsa Bylisi dhe Vora duhet të ndalin rënien për të mos u përfshirë më thellë në zonën e rrezikut. Ndërkohë, Flamurtari ndodhet përballë një momenti kritik, ku çdo ndeshje është një finale e vërtetë. Me diferenca minimale dhe me presion maksimal, fundi i kampionatit në Superiore premton emocione të forta, ku çdo pikë mund të vlejë sa një sezon i tërë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













