Shpërdorimi i rasteve te Vllaznia, shkaku i lënies së dy pikëve në Durrës
Vllaznia regjistroi një barazim të “hidhur” në javën e katërt të Superiores, duke u ndalur në 1-1 nga Teuta vetëm në momentet e fundit të ndeshjes. Goli i durrsakëve erdhi pas një goditjeje dënimi, ndërsa deri në minutën e 90-të porta e kuqebluve ishte rrezikuar shumë pak nga vendasit.

Skuadra e Martinit kishte pasur mundësi të shumta për të dyfishuar shifrat gjatë lojës dhe për të siguruar pikët e plota, por rastet e shumta të krijuara nuk u konkretizuan. Ky fakt shqetëson radhët e 9 herë kampionëve të vendit, pasi dominimi në fushë nuk po shoqërohet me rezultatet e pritura. Edhe ndaj Teutës, Vllaznia mund të kishte përfunduar pjesën e parë me avantazh të dyfishtë dhe të “mbyllte” takimin, duke shmangur presionin në minutat e fundit.
Situata të ngjashme kishin ndodhur edhe ndaj Partizanit, ku fitorja u arrit vetëm në minutat shtesë, pavarësisht rasteve të shumta. Për këtë arsye, skuadra kërkon të rregullojë efektivitetin në finalizim dhe të shmangë humbjen e pikëve në momentet vendimtare, duke shfrytëzuar maksimalisht volumin e rasteve që krijon gjatë 90 minutave. Në katër javët e para të Superiores, Vllaznia është një nga ekipet që ka shpërdoruar më shumë shanset për gol.
PANORAMASPORT.AL













