Shkëlqen Gashi, tripletë në Kupë, shënojnë Roshi edhe Ajeti
Trajneri e harron në tribunë në ndeshjen e fundit dhe ai i kthen përgjigjen më të mirë të mundshme që mund t’i japë një sulmues. Nëse prej ditësh në mediat helvete ka një debat të ngritur kundër zgjedhjeve të trajnerit, ai vetë, si gjithmonë, është diskret me mediat dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Jo vetëm kaq, por ka reaguar në mënyrën e duhur në momentin e parë që Fisher e ka hedhur në fushë në formacionin titullar të Bazelit. Në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Zvicrës, Bazel ka fituar 1-5 ndaj Mutenz me tre gola të shënuar nga sulmuesi shqiptar. Në të parin, që është i dyti për Bazelin, ka pak nevojë edhe për fat. Një goditje që nuk ka drejtimin fillestar, por në fakt përfundon në rrjetë. E devijuar, i shkon për shtat sulmuesit shqiptar, të cilit i mjafton për të marrë autorësinë e golit të tij të parë pas shumë kohësh. Ishte minuta e 35-të dhe mjaftonte për të dërguar të sigurt skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes, edhe pse në të 48- ën vjen një gol nga vendësit. Është sërish ai dhe këtë herë trefishon rezultatin. Është Delgado që e ndihmon për të realizuar golin e tij të dytë personal, pasi e asiston dhe e nxjerr në një pozicion perfekt. Diçka e tillë ndodhi kur kronometrohej minuta e 62-të e takimit. Nëntë minuta më vonë është sërish ai. Një situatë e përsëritur, ku bomberi shqiptar tregon edhe një herë vlerat e tij. Këtë herë me mjeshtëri. Një goditje dënimi përfundon drejt e në rrjetë. Supergol dhe shqiptari shënon tripletë si për t’i treguar trajnerit të Bazelit se zgjedhjet e tij duhen rimenduar edhe një herë. Me këtë perlë, sulmuesi vërtetoi edhe një herë se trajneri është ai që ka gabuar në të gjithë debatin e krijuar.
Albian Ajeti
Shqiptari që për momentin luan me Kombëtaren Shpresa të Zvicrës dhe që është pajisur me pasaportë shqiptare, Albian Ajeti, ka vendosur shenjën e tij në këtë ndeshje. Në minutën e 75- të, vëllai i mbrojtësit të Kombëtares, Arlindit, ka fituar një penallti dhe e ka shndërruar në gol. 1-5 dhe Bazeli kualifikohet falë mrekullisë “made in Albania”.
Gazeta “Blick”, apel Gashit: Largohu, të shpëtosh karrierën!
Prestigjiozja zvicerane “Blick.ch” ka marrë qëndrim për mosaktivizimin e Gashit nga trajneri i kampionëve në fuqi të Zvicrës. Me anë të njërit prej analistëve të momentit në median zvicerane, ish-sulmuesi Kubiali Turkilmaz ka këshilluar shqiptarin që të ndryshojë menjëherë ekip për të mirën e karrierës së tij. “Situata është shumë e qartë. Shkëlzen Gashi duhet që të largohet nga Bazeli, pasi në të kundërt rrezikon dy gjëra: të prishë gjithçka që ka ndërtuar në këto dy vite, si dhe të humbasë vendin në Kombëtaren shqiptare që do të marrë pjesë në Europian. Një gjë e tillë më ka ndodhur edhe mua te Breshia, kur u ndryshua trajneri. Fisher nuk e sheh më Gashin pjesë të planeve të tij dhe mendoj se Gjermania do të ishte destinacioni më i mirë për të”, deklaroi analisti i “Blick.ch”.
Roshi i jep fitoren Rijekës, gol dhe asist
Në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Kroacisë, Odise Roshi ka udhëhequr Rijekën në triumfin 0-3. Mesfushori i Kombëtares ka realizuar golin e tretë të takimit si dhe ka asistuar në të dytin. Mesfushori ka bërë një paraqitje mjaft pozitive, duke qenë se vjen pas dëmtimit që ka pasur në ndeshjen e fundit kualifikuese të Shqipërisë, në transfertën e triumfit në Armeni. Futbollisti pësoi dëmtim të gjurit dhe qëndroi disa ditë jashtë fushave të lojës. Për mesfushorin, ka qenë një ndeshje mjaft e mirë, ku ka arritur që të jetë mjaft aktiv për skuadrën e Rijekës. Pjesa e parë ka përfunduar 0- 0, ndërkohë që Tomas ka shënuar në të 55-ën. Pas një asisti të Roshit, Bezjak ka dyfishuar në minutën e 70-të. Futbollisti fierak nuk mund të mos linte firmën e tij në rezultat dhe ka shënuar nga një pozicion diagonal në hyrje të zonës, në 0-3 ku Rijeka u kualifikua përballë Opatijas.













