Shiriti te Partizani, ja pse u bë kapiten… Atanaskoski
Skuka, Preka dhe Marku u detyruan të largohen nga fusha e blertë për shkak të dëmtimeve. Shiriti iu dha më pas Atanaskoskit, që për nga hierarkia rezulton të paktën i pesti që e mban shiritin me situatën aktuale.

Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut ka qenë ndër më të dalluarit e ndeshjeve të fundit, ndërsa vetëm autogoli ndaj Dinamos ia prishi ecurinë. Pas kapitenit të parë, Alban Hoxha, është pikërisht Atanaskoski i vetmi që ka mbi 100 ndeshje zyrtare për momentin. Mbrojtësi ka luajtur edhe në edicionet 2022/23 dhe 2023/24, para se të shkëputej për gjashtë muaj nga Partizani. U rikthye këtë vit, pikërisht në më të vështirin që pas rikthimit në Superiore.
Shiritin e kapitenit e mbante edhe në sfidën ndaj Dinamos për vendin e tretë në “Final Four”. Kjo për shkak të numrit të lartë të lojtarëve të rinj që aktivizoheshin. 29-vjeçari ka eksperiencën e duhur dhe te Partizani shikohet si lider. Konkurrenca e tij ka qenë vetëm me Paulo Buxhelajn për vendin e titullarit në krahun e majtë. Tashmë e ka fituar, njëjtë si në edicionin e fitimit të titullit të fundit kampion.
PANORAMASPORT.AL













