Shifrat në Kupën e Shqipërisë, Egnatia nuk njeh humbje prej 4 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2026 | 23:33

Shifrat në Kupën e Shqipërisë, Egnatia nuk njeh humbje prej 4 vitesh

Egnatia hyn në duelin e kësaj të shtune ndaj Apolonisë me statusin e favoritit absolut, një rol i fituar prej kohësh dhe i mbështetur në shifra konkrete. Rrogozhinasit luajnë në fushën e tyre dhe përballen me një kundërshtar të një kategorie më poshtë, faktorë që e forcojnë edhe më shumë këtë status.

Egnatia festaaaa

Megjithatë, trajneri Edlir Tetova ka qenë i qartë me të tijtë gjatë seancave stërvitore, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe duke paralajmëruar se nuk ka vend për nënvlerësim. Specifika e këtij raundi të Kupës, që luhet me vetëm një ndeshje, e bën çdo gabim potencialisht fatal.

SHIFRAT NË KUPË – Në tre sezonet e fundit të Kupës së Shqipërisë, Egnatia ka treguar një vazhdimësi të rrallë, duke arritur tri herë radhazi në finale, një tregues i qartë i stabilitetit, pjekurisë konkurruese dhe mentalitetit fitues të skuadrës. Rrugëtimi i parë i suksesshëm vjen në sezonin 2022–2023, ku rrogozhinasit regjistruan 6 fitore dhe 3 barazime. Ishte një ecuri e gjatë dhe e qëndrueshme, ku ekipi dëshmoi aftësi për të kaluar faza të vështira, për të menaxhuar ndeshje të mbyllura dhe për të ruajtur ekuilibrin në momentet vendimtare.

Sezoni pasues, 2023–2024, shërbeu si konfirmim i plotë i këtij niveli. Egnatia regjistroi 5 fitore dhe vetëm 1 barazim, një bilanc që flet për një skuadër edhe më të konsoliduar, më të sigurt në lojën e saj dhe më efiçente në arritjen e objektivave. Edhe në sezonin 2024– 2025, rrogozhinasit ruajtën të njëjtën linjë performance: 4 fitore dhe 2 barazime, duke treguar se standardi i tyre në Kupë nuk është rastësor, por rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i një strukture të qartë loje. Edhe pse trofeu nuk u fitua, pasi finalja ndaj Dinamos u vendos vetëm pas kohës së rregullt që u mbyll në barazim, Egnatia nuk e provoi humbjen në 90 minuta. Këto shifra e vendosin Egnatian mes ekipeve më konstante të Kupës së Shqipërisë, duke e bërë praninë e saj në fazat finale një normalitet dhe jo një përjashtim.

30 NDESHJE PA HUMBJE – Përtej statistikave sezonale, Egnatia mbështetet edhe në një tjetër tregues shumë domethënës: 30 ndeshje radhazi pa humbje në kohën e rregullt në Kupë. Një seri që flet jo vetëm për cilësinë teknike të ekipit, por edhe për disiplinën taktike, organizimin mbrojtës dhe forcën mentale të grupit. Humbja e fundit e rrogozhinasve në Kupë daton më 17 nëntor 2021, kur Egnatia u mposht 1–0 nga Kukësi.

Që prej asaj ndeshjeje, skuadra ka ndërtuar një identitet të fortë dhe të qartë, duke u shndërruar në një kundërshtar jashtëzakonisht të vështirë për t’u thyer në 90 minuta. Jo rastësisht, Egnatia është finaliste e tri sezoneve të fundit, ndërsa kjo seri e gjatë pa humbje është pasojë e një filozofie loje që i jep rëndësi kontrollit të ndeshjes, menaxhimit të ritmit dhe minimizimit të rrezikut.

ECURIA NË KUPË
SEZONI 2024 – 2025
4 FITORE 2 BARAZIME

SEZONI 2023 – 2024
5 FITORE 1 BARAZIM

SEZONI 2022 – 2023
6 FITORE 3 BARAZIME

HUMBJA E FUNDIT NË KUPË
KUKËSI – EGNATIA 1 – 0 (17 NËNTOR 2021)

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL