Sfida vendimtare për Vllazninë, Martini bën ndryshime në formacion dhe lë jashtë lojtarin e piketuar në merkato nga Egnatia
Para përballjes së dytë të “Final 4” ndaj Egnatias, te Vllaznia po punohet intensivisht për të gjetur formulën e duhur që do t’i mbajë kuqeblutë në garën për titullin. Pas humbjes dhe paraqitjes jo bindëse ndaj Dinamos, trajneri Edi Martini pritet të ndërhyjë në formacionin titullar, duke bërë disa ndryshime të rëndësishme në çdo repart.

Në portë nuk priten surpriza, pasi gjermani Pohls besohet se do ta nisë sërish nga minuta e parë. Gardiani ka qenë një nga pikat më të qëndrueshme të Vllaznisë gjatë këtij sezoni dhe stafi teknik vazhdon t’i besojë eksperiencës dhe sigurisë së tij në sfi da të tilla delikate.
Para tij, reparti difensiv do të pësojë lëvizje, sidomos pas mungesës së Bajramit për shkak pezullimi. Gjini, Çelikoviç dhe Pusi pritet të formojnë vijën mbrojtëse, me Martinin që kërkon më shumë ekuilibër dhe agresivitet ndaj repartit ofensiv të Egnatias.
MESFUSHA DHE SULMI
Ndryshime priten edhe në mesfushë, aty ku trajneri duket se do të freskojë krahët. Gurishta pritet të aktivizohet në të djathtë, ndërsa Mala mund ta nisë takimin nga stoli, një zgjedhje që ka tërhequr vëmendjen pas rolit të rëndësishëm të mesfushorit në javët e fundit.
Në të majtë pritet të vendoset Jago, ndërsa në qendër Dros, Krymi dhe Kallaku do të kenë detyrën të mbajnë ritmin e lojës dhe të fitojnë betejën në mesin e fushës, aty ku pritet të vendoset shumë nga fati i ndeshjes.

Në sulm, pavarësisht kritikave të shumta në javët e fundit, Balaj pritet të mbetet pika referuese në majë. Sulmuesi do të kërkojë të rikthehet protagonist, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Këtë herë ai pritet të ketë më shumë mbështetje pranë zonës, me Dodajn që shihet favorit për ta nisur nga minuta e parë në krah të tij, në një përpjekje për t’i dhënë skuadrës më shumë forcë dhe lëvizshmëri në fazën sulmuese.
Përballja ndaj Egnatias konsiderohet vendimtare për ambiciet e kuqebluve, të cilët nuk kanë më hapësira për gabime nëse duan të qëndrojnë në garën për titullin kampion. Në kampin shkodran objektivi është i qartë, të merret minimalisht një rezultat pozitiv që do të mbajë gjallë shpresat për kurorën e kampionit. Atmosfera para sfidës mbetet optimiste, ndërsa tifozët presin një reagim të fortë nga skuadra në një moment kyç të sezonit.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













