Sezoni pozitiv i Vorës, drejtori Tragaj: Po ndërtojmë një ekip me baza shumë të forta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2026 | 21:48

Sezoni pozitiv i Vorës, drejtori Tragaj: Po ndërtojmë një ekip me baza shumë të forta

Vora e mbylli një sezon fantastik në debutimin e saj të parë në elitë, duke arritur të mbijetojë mes skuadrave më të mira të Superiores. Askush nuk e kishte imagjinuar se kjo skuadër do të arrinte të qëndronte në elitë që në sezonin e saj të parë si debutuese.

bazjon-tragaj

Kjo arritje erdhi si rezultat i faktit se drejtuesit kishin hartuar prej kohësh një projekt ambicioz dhe afatgjatë, me synimin për ta bërë Vorën një klub të qëndrueshëm dhe të suksesshëm në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Tashmë, objektivi është që skuadra e Superiores të hedhë bazat e forta për një ecuri disa-vjeçare, me qëllim që ekipi të konsolidohet dhe të qëndrojë për një periudhë sa më të gjatë në këtë nivel futbolli. Për të realizuar këtë objektiv, drejtori sportiv i Vorës thekson se forcimi i ekipit mbi baza të qëndrueshme do të vijë përmes disa hapave të qartë dhe të mirëplanifi kuar.

Së pari, do të rriten dhe forcohen lidhjet me Akademinë e Futbollit “Vora”, me synimin për të thithur sa më shumë element të ri dhe për të furnizuar vazhdimisht ekipin e parë me lojtarë premtues. Së dyti, në skuadër do të mbahen disa prej lojtarëve me përvojë, të ashtuquajturit “senatorë”, në mënyrë që stabiliteti dhe pjekuria e ekipit të vazhdojnë edhe në sezonin e ardhshëm. Së treti, do të bëhet një analizë e detajuar e grupit aktual, ku futbollistët që nuk kanë përmbushur pritshmëritë do të largohen dhe do të zëvendësohen me lojtarë më cilësorë, më produktivë dhe më të përshtatshëm për objektivat e klubit.

Prononcimi – Drejtori sportiv i Vorës, Bazjon Tragaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, ka folur gjerësisht për këto zhvillime dhe për projektin e riformatimit të skuadrës për sezonin e ri, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një ekipi me baza të forta. “Ne e mbyllëm një sezon shumë të rëndësishëm në kuadër të një projekti afatgjatë për klubin tonë. Tashmë, pasi kemi kaluar me sukses periudhën e mbijetesës dhe jemi çliruar nga presioni i rezultateve të menjëhershme, jemi fokusuar plotësisht në ndërtimin e një skuadre me baza sa më të forta, në mënyrë që ky klub të ketë qëndrueshmëri dhe të rezistojë sa më gjatë në elitën e futbollit shqiptar.

Për këtë arsye po punohet në disa drejtime njëkohësisht, me theks të veçantë në krijimin e themeleve të forta mbi të cilat do të mbështetet ekipi i ardhshëm. Shtylla kryesore e këtij projekti do të jetë kombinimi i lojtarëve me përvojë me futbollistët e rinj, ku synimi ynë kryesor është integrimi i sa më shumë elementëve të rinj nga akademia e futbollit ‘Vora’. Ne kemi intensifi kuar bashkëpunimin me drejtorin e Akademisë, Gentian Brahimaj, me qëllim identifi kimin dhe zhvillimin e elementëve të rinj që mund t’i shërbejnë ekipit të parë, jo vetëm në të ardhmen, por edhe në formatimin e menjëhershëm të skuadrës për sezonin e ardhshëm. Janë përzgjedhur dhe piketuar disa lojtarë të rinj që pritet të afrohen në ekipin e parë. Në të njëjtën kohë, jemi në proces vlerësimi të detajuar të futbollistëve aktualë, ku do të vendoset se cilët prej tyre do të largohen për t’i hapur rrugë merkatos.

Synimi ynë është të afrojmë lojtarë cilësorë, me nivel të lartë dhe me kontrata afatgjata, në mënyrë që të ndërtojmë një bazë të qëndrueshme edhe për sezonet e ardhshme, pasi Vora është projektuar për të qenë pjesë afatgjatë e elitës. Ndërhyrjet do të prekin pothuajse të gjitha repartet e skuadrës. Paralelisht, po punohet edhe për rinovimin e kontratave të lojtarëve që përbëjnë boshtin e ekipit dhe që konsiderohen të rëndësishëm për vazhdimësinë e projektit. E gjithë kjo punë për formatimin e Vorës së re synojmë ta përfundojmë deri para datës 20 qershor, kur parashikojmë të nisim fazën përgatitore për sezonin e ri”, ka deklaruar drejtori sportiv i Vorës, Bazjon Tragaj.

Abdulla Dushku – PANORAMASPORT.AL