Ruzgis rinovon me Vorën, në Ohër për fazën përgatitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2025 | 13:47

Ruzgis rinovon me Vorën, në Ohër për fazën përgatitore

Vora është thuajse e gatshme për sezonin e ri, të parin historik të saj në Superiore.ruzgisAjo pas ndeshjes miqësore që zhvilloi kundër Besës të shtunën e kaluar, dje është nisur drejt qytetit të Ohrit për të zhvilluar një minifazë grumbulluese 13- ditore. Më pas, tri ditë të tjera do t’i kalojnë në Korçë. Vora shkon në këtë fazë përgatitore me 25 futbollistë, pra me dy formacione të plota dhe tri rezerva.

AXHENDA – Skuadra në Ohër do të zhvillojë një fazë dyjavore që do t‘i shërbejë më shumë përgatitjes fizike e atletike. Vora do të punojë me dy seanca në ditë. Paradite do të zhvillojë seancën gjimnastikore në vegla si dhe vrapimet në natyrë. Ndërkohë, që seanca e pasdites do t’i shërbejë më shumë përgatitjes taktiko-teknike të skuadrës në fushë. Gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në Ohër, janë planifikuar dhe tri takime miqësore. I parë do të jetë ai me durrsakët. Edhe këta të fundit ndodhen në Ohër. Ky takim do të luhet më 24 korrik. Më pas, Vora do të ketë përballë skuadrën maqedonase Arsimi, me të cilën do të ndeshet më 27 korrik, ndërsa sfida e fundit është planifikuar në gusht, kundër Shkupit, që mbetet ende në dilemë pasi skuadra shkupjane nuk po lejohet që të zhvillojë stërvitjet nga pakënaqësia e tifozëve. Pas kësaj ndeshjeje, skuadra e Vorës do të kthehet në Korçë, ku do të qëndrojë edhe dy ditë të tjera në atë qytet për të zhvilluar një miqësore të fundit me Skënderbeun, e planifikuar më 6 gusht.

MERKATO – Vora pas ngjitjes historike në Kategorinë Superiore është munduar të ndërtojë një skuadër edhe më cilësore se ajo e Kategorisë së Parë, duke qenë se elita ka një preokupim madhor, atë të mbijetesës. Vorakët kanë afruar 8 futbollistë duke nisur me portierin e dytë Romeo Harizaj, e me radhë vijnë: Serjan Repaj, Henri Zuna, Luis Felipe, Bernard Karrica, Enis Fazlagiç, Adeloye Folahan, Uallas Almeida. Afrimi më i fundit është Uallas Almeida, që ishte i pranishëm në ndeshjen kundër Besës, por nuk u aktivizua, pasi sapo kishte ardhur nga Irani. Megjithatë, trajneri Bellai e la atë në stërvitje individuale me vrapime rreth stadiumit “Tofik Jashari”. Ardhja e futbollistit brazilian u bë e mundur pas ndërhyrjes së trajnerit të mirënjohur Anxhelo Suta.

RUZGIS – Vora ka bërë me dije edhe rinovimin e kontratës nga ana e lituanezit të gjermanizuar Manfredas Ruzgis, bomberi që krahasohet me tankun që “shtypi” të gjithë portierët e Kategorisë së Parë, 24 herë rresht, duke u bërë dhe golashënuesi më i mirë në këtë kategori. Rinovimi i tij erdhi me vonesë, pasi pati disa oferta me ekipe të huaja, madje edhe nga ata që luajnë në Champions League, si Karabagu e tij. Ai u paraqit në miqësoren kundër Besës, pasi një ditë më parë ishte kthyer te skuadra vorake.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL