Rrëfehet drejtori Tragaj: Synimet e 2026-ës për Vorën, të qëndrojmë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2026 | 23:58

Rrëfehet drejtori Tragaj: Synimet e 2026-ës për Vorën, të qëndrojmë në Superiore

Vora nuk ka qëndruar gjatë në pushime, vetëm 3 ditë pushim kanë pasur lojtarët në dispozicion dhe që më datën 2 janar lojtarët kanë dalë në stërvitje.

bazjon-tragaj

Pasi e kanë lënë pas vitin 2025, një nga më të suksesshmit në historinë e këtij klubi, ata kanë nisur vitin e ri me shpresën e mbijetesës si dhe të përfundimit të punimeve të stadiumit. Lidhur me punën një-vjeçare si dhe me synimet e këtij viti, që sapo kemi hyrë, drejtori sportiv i Vorës bën një analizë të thellë mbi gjithçka që ka ndodhur e po ndodh në klubin Vora. Për këtë kemi këtë intervistë të tij para nisjes së këtij viti.

Bazion, a jeni të kënaqur nga arritjet e vitit të kaluar?

Ka qenë viti më i begatë dhe më i suksesshëm në historinë e klubit tonë. Gjatë atij viti ne arritëm të fitonim trofeun e kampiones së vendit në kategorinë e parë dhe u ngjitëm për herë të parë në histori në elitën e futbollit shqiptar. Po kështu u shpallëm kampion në kategorinë e parë me 18-vjeçarët, si dhe patëm golashënuesin më të mirë të kategorisë së parë, Manfredas Ruzgis me 24 gola.

Këto arritje të jashtëzakonshme për një klub me moshë kaq të re në arenën e futbollit shqiptar, u zbukuruan edhe më shumë me investimet e bëra në drejtim të infrastrukturës, ku tashmë kanë përfunduar punimet në stadiumin “Vora” e shpresojmë, që këtë vit, ta nisim mbarë në stadiumin tonë të ri.

Cilat do të jenë përparësitë e synimeve këtë vit?

Pikësëpari mbetet stadiumi i ri Vorës, i cili do të jetë një model si impianti më modern përsa i përket kushteve që kërkojnë standardet e UEFA-s. Së dyti lidhur me skuadrën tonë të të rriturve synojmë qëndrimin në superiore, pa u sforcuar duke u pozicionuar në një pozicion të pacenuar nga kushtet e rënies nga kategoria.

Këto do të jenë fitoret më të mëdha të këtij sezoni në vazhdim.

Së treti do të nisim përgatitjet për sezonin e ardhshëm me synime më të mëdha duke nisur edhe nga pretendimet, siç mund fitimi i trofeve apo pjesëmarrjet në arenën europiane.

Jeni skuadra, që keni nisur me herët stërvitjet se çdo ekip tjetër, pse?

Duke qenë se dy kompeticionet tradicionale kombëtare nisën shumë shpejt, madje pas 4 ditësh ne ndeshemi për kupën e Shqipërisë me Teutën në Durrës është një nga arsyet që kemi nisur kaq herët, por ajo që është më e rëndësishme (thotë me shaka) kërkojmë që të tresim sa më shpejt bakllavanë, në mënyrë, që lojtarët të marrin ngarkesën fizike për të përballuar pjesën e dytë të sezonit. Një arsye tjetër është se kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar dhe se ato kërkojnë një impenjim më të shumtë nga stafi ynë mjekësor.

Jemi në një kohë merkatoje, Vora ka nevojë për ndërhyrje apo jeni një grup i kompletuar?

Po, do të kemi një ndërhyrje gjatë kësaj merkatoje, ku aktualisht jemi në bisedime për një lojtar nga Teuta e Durrësit dhe po shpresojmë, që këtë ta mbyllim sot ose nesër dhe besoj se s’do të kemi më nevojë për ndërhyrje të tjera. Po kështu jemi, duke kërkuar zbulimin e ndonjë talenti, nga lojtarët tanë të Akademisë sonë të moshave, ku mund ta përdorim për nevojat tona gjatë sezonit në vazhdim, apo për ndonjë merkato më të vlefshme me qëllime përfitimi.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL