Roshi te Rijeka, 250 mijë € në sezon: Do ta shfrytëzoj si trampolinë për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2015 | 14:11

Roshi te Rijeka, 250 mijë € në sezon: Do ta shfrytëzoj si trampolinë për të ardhmen

roshi

Odise Roshi është loj tari më i ri i Rijekës. Mesfushori ka lënë FSV Frankfurtin e Bundesligës së dytë gjermane, për t’u transferuar në një ekip që synon tituj dhe merr pjesë në Europë si Rijeka.

Fieraku u prezantua ditën e djeshme, pasi kreu kontrollet mjekësore, ndërkohë që ka nënshkruar edhe kontratën. Ai do të qëndrojë tre vite te Rijeka dhe gazeta “Panorama Sport” ka mësuar edhe kushtet e saj. Mësohet se futbollisti do të përfitojë rreth 250 mijë euro në sezon.

I kontaktuar nga gazeta, Roshi tregon emocionet e para për transferimin, si dhe bisedën me sulmuesin e Kombëtares, Bekim Balaj, i cili është lideri i skuadrës në repartin e avancuar.

Jeni transferuar nga Bundesliga 2 në Gjermani, në një ekip elitar në Kroaci. Si ndiheni?

Është diçka pozitive për karrierën time. Në Gjermani është një kampionat me shumë presion, ndërsa në Kroaci, Rijeka është një skuadër sulmuese. Formula e kampionatit është e tillë që të përball disa herë me skuadrat e tjera, ndërkohë që luftojmë për titull dhe marrim pjesë në Kupat e Europës.

Cilat kanë qenë pistat e mundshme veç Rijekës?

Në fillim ishte Darmshtad, ku mund të transferohesha, por diçka e tillë nuk u arrit për shkak të kushteve financiare. Më pas, Grasshopers në Zvicër ka qenë një tjetër mundësi.

Keni biseduar me Balajn përpara se të zgjidhnit?

Patjetër që po. Bekimi më ka treguar për qytetin dhe atmosferën në ekip. Gjithashtu për kërkesat e klubit dhe objektivat sezonalë. Këtu gjej një ekip sulmues dhe nuk do të diskutoj më shqetësimin e zonës që rrezikon rënien nga kategoria.

Keni biseduar me Balajn për përshtatjen në skuadër, qoftë edhe për formacionin?

Këtu formacioni nuk është diçka që vendoset me kontratë dhe nuk parashikohet aspak në pikat e nënshkrimit. Unë këtu duhet të jap më të mirën dhe këtu luan ai lojtar që e meriton dhe që i shërben më shumë skuadrës. Balaj më ka treguar se skuadra është përforcuar edhe në repartin e sulmit, apo edhe në të djathtë do të kem konkurrencë të fortë me një lojtar 26-vjeçar. Kjo më pëlqen më shumë, që të mund të kemi rivalitet pozitiv në ekip, për të treguar më të mirën si skuadër në përballjet me kundërshtarët. Për më tepër, më kanë vënë edhe një epitet “Raketa”, pasi ka rënë në sy shpejtësia ime.

Rijeka merr pjesë në Europa Ligë, kompeticion në të cilin ju nuk keni luajtur…

Kampionati këtu fillon, besoj, pas rreth katër javësh dhe mendoj se aventura do të nisë me ndeshje në kampionat dhe jo direkt në Europa Ligë. Nuk di nëse do të luaj apo jo, pasi më duhen disa ndeshje të ambientohem me ekipin, si dhe të stërvitem shumë. Di që është një objektiv i skuadrës që të kemi rezultate dhe do të jap maksimumin për të merituar një vend në formacion. E përsëris: kjo është diçka pozitive për mua, pasi kam zgjedhur një ekip që më shërben si trampolinë për të ardhmen. Kjo skuadër është e lidhur me një sërë ekipesh dhe më duhet që ta shfrytëzoj pozitivisht.

Keni komunikuar me trajnerin De Biazi?

Unë personalisht jo, por De Biazi ka komunikuar me menaxherin Adrian Aliaj. Me të ka komunikuar dhe di që është shprehur pozitivisht për këtë transferim.