“Ringjallja” e Egnatias, ardhja e Dedes në momentin vendimtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 21:19

“Ringjallja” e Egnatias, ardhja e Dedes në momentin vendimtar

Nevil Dede ka sjellë një frymë të re te Egnatia dhe, në një farë mënyre, mund të thuhet pa frikë se ai e ka “ringjallur” skuadrën në momentin më të rëndësishëm të sezonit. Fitorja bindëse ndaj Elbasanit në “Final 4” nuk ishte thjesht një tri pikësh, por edhe një demonstrim force që konfirmoi se kampionët në fuqi janë rikthyer në versionin e tyre më të mirë. Madje, ajo paraqitje mund të konsiderohet pa hezitim si Egnatia më e mirë e gjithë këtij sezoni.

DEDE

Në një periudhë kur skuadra dukej se kishte humbur shkëlqimin dhe sigurinë që e karakterizoi gjatë sezonit të kaluar, ardhja e Dedes në stol ka ndryshuar menjëherë atmosferën dhe mentalitetin e grupit. Trajneri nuk ka pasur shumë kohë për të punuar, por vendimet e tij të para kanë rezultuar vendimtare. Ai ka rikthyer qartësinë taktike, ka rritur besimin e futbollistëve dhe, mbi të gjitha, ka marrë maksimumin nga elementët më cilësorë të skuadrës.

RIKTHIMI I BAKAJOKOS – Lëvizja më e rëndësishme e Dedes ishte rikthimi i Soumaila Bakajoko si titullar dhe si pika kryesore e referimit në repartin ofensiv. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë i është përgjigjur menjëherë besimit të trajnerit, duke realizuar dy gola ndaj Elbasanit dhe duke zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në çdo aspekt të lojës sulmuese. Bakajoko ishte një nga armët më të forta të Egnatias, por gjatë një pjese të madhe të sezonit qëndroi jashtë planeve për shkak të mosmarrëveshjeve me klubin lidhur me rinovimin e kontratës.

Mungesa e tij ndikoi dukshëm në produktivitetin ofensiv të skuadrës, e cila shpesh vuajti për të gjetur një lider të mirëfilltë në zonën kundërshtare. Me ardhjen e Dedes, duket se situata është normalizuar. Trajneri ka arritur të qetësojë palët dhe ta rikthejë sulmuesin në qendër të projektit. Tani Bakajoko jo vetëm që është titullar i padiskutueshëm, por është shndërruar sërish në pikën e referimit të skuadrës. Nëse ai vazhdon me këtë formë, Egnatia fiton një armë të jashtëzakonshme për finalen.

NDRYSHIMI I SKEMËS – Një tjetër vendim i rëndësishëm i Dedes ka qenë ndryshimi i sistemit të lojës. Gjatë pjesës më të madhe të sezonit, Egnatia ka luajtur me skemën 4-2-3-1, me vetëm një sulmues të mirëfilltë dhe me përgjegjësi të shumta mbi repartin ofensiv. Edhe pse kjo formulë solli rezultate, skuadra shpesh nuk arriti të shfaqte dominimin dhe rrjedhshmërinë që pritej. Dede vendosi t’i rikthehet një skeme më klasike dhe më sulmuese, 4-4-2, duke aktivizuar dy sulmues dhe duke i dhënë më shumë peshë pranisë në zonën kundërshtare.

Kjo lëvizje solli menjëherë më shumë ekuilibër, agresivitet dhe efikasitet. Egnatia u duk më e lirshme në sulm, më e shpejtë në tranzicion dhe shumë më e rrezikshme para portës. Pikërisht ndaj Elbasanit u pa qartë efekti i këtij ndryshimi. Skuadra dominoi ndeshjen, krijoi raste të shumta dhe shfaqi një intensitet që kishte munguar në shumë takime të këtij sezoni. Futbollistët dukeshin të motivuar, të qartë në detyrat e tyre dhe, mbi të gjitha, të bindur se mund të rikthejnë titullin kampion.

PROVA GJENERALE – Megjithatë, testi më i rëndësishëm ende nuk ka ardhur. Të shtunën, Egnatia do të përballet me Vllazninë në finalen që do të vendosë titullin kampion. Vetëm aty do të shihet nëse transformimi i sjellë nga Dede është i mjaftueshëm për të çuar skuadrën drejt një tjetër trofeu historik. Paraqitja ndaj Elbasanit ka rritur ndjeshëm optimizmin në kampin rrogozhinas.

Egnatia u shfaq e fortë, e organizuar dhe jashtëzakonisht efikase, duke dhënë sinjale se është gati për sfidën më të madhe të sezonit. Nëse Bakajoko vazhdon të jetë vendimtar, nëse skema 4-4-2 funksionon me të njëjtin intensitet dhe nëse Dede arrin të mbajë skuadrën në këtë nivel motivimi, atëherë Egnatia ka të gjitha mundësitë për të mbrojtur titullin dhe për të konfirmuar se ringjallja e saj mban qartë firmën e Nevil Dedes.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL