Rezultatet, Partizani më i dobët në 5 vite. “Demat” larg nivelit që pritej këtë sezon
Me mbylljen e sezonit të rregullt, mund t’i bëjmë një rezyme totale asaj që Partizani ka bërë gjatë 36 javëve mbi numrat që skuadra e kuqe ka regjistruar, por edhe vendimet që ka marrë. Në tërësi, mund të themi se ka qenë një sezon i çuditshëm, me lëvizje në stol, largime liderësh, dështime në merkato e dëmtime.

3 TRAJNERË Partizanit iu desh ta ndryshonte plot tri herë trajnerin. Në pjesën më të madhe të sezonit, skuadrën e drejtoi Veselinoviç. Me serbin, skuadra ishte e fortë në mbrojtje, por luhatjet nuk munguan. Pas largimeve të janarit, nisën problemet dhe, të shtyrë edhe nga deklaratat kontradiktore të serbit, drejtuesit vendosën shkarkimin e menjëhershëm të tij. Më pas, skuadrën në drejtim e mori drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj, i cili e nisi mirë, por rrugës u konfirmua se të kuqve u duhej një trajner me eksperiencë. U zgjodh Gega, i cili u eliminua në Kupë, por siguroi katërshen në një “finale” me Elbasanin.
GJYSMË DEKADE Ky i sivjetshmi është Partizani më i dobët i pesë viteve të fundit, sipas pikëve dhe atyre që skuadra ka bërë pas 36 javëve. Këtë sezon, Partizani ka arritur të grumbullojë vetëm 53 pikë, më pak se çdo sezon tjetër në gjysmë dekade në Kategorinë Superiore. Krahasuar me vjet, kur të kuqtë renditeshin të dytët, këtë sezon kanë grumbulluar dhjetë pikë më pak dhe janë të katërtit, duke zbritur edhe për herë të parë në 5 vite nga podiumi i Superiores. Megjithatë, formula e kampionatit i jep luksin të jenë ende pretendentë për të fituar titullin, pasi kanë hyrë në fazën “Final 4”, ku do të ndeshen me Egnatian në gjysmëfinale, më 5 maj.
QË NGA 2013-ta Fakti është që, sa u përket pikëve, Partizani nuk ka bërë asnjëherë më keq se kaq. Ama, ka pasur tri sezone të tjera që ka arritur të grumbullojë të njëjtin numër pikësh, që është më minimalja që nga 2013-ta, kur të kuqtë u kthyen në Superiore. Kaq pikë të kuqtë i kanë marrë edhe në sezonet 2019-2020, 2017-2018 dhe 2013-2014. Interesant është fakti se në të trija këto raste skuadra është renditur poshtë vendit të katërt, ku është pozicionuar sivjet. Sakaq, dy sezonet me më shumë pikë, të kuqtë i kanë arritur në 2015-tën dhe 2016-tën, me 73 dhe 74 pikë, por nuk ka arritur të dalë kampion, ndoshta edhe për shkak se në atë kohë konkurrenca me Kukësin dhe Skënderbeun e lavdishëm ishte tejet e madhe. Më 2019- tën dhe 2023-shin, të kuqtë kanë grumbulluar respektivisht 70 dhe 67 pikë, por mjaftueshëm për t’u shpallur kampion.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













