Rezerva me gjykimin, Dinamo rrezikon edhe “Final 4. Blutë ndihen të vjedhur nga vendimet e arbitrave
Dinamo po kalon një moment të vështirë në kampionat dhe përveç faktit se nuk ka fituar asnjë ndeshje në fazën e tretë, skuadra e Dajës po rrezikon seriozisht edhe vendin e katërt.

Fitorja e djeshme e Partizanit ndaj Flamurtarit në Vlorë, e ka barazuar skuadrën e kuqe me pikë me Dinamon që aktualisht mban vendin e katërt vetëm për shkak të përballjeve direkte dhe golaverazhit më të mirë. Ashtu si edhe në shumë ndeshje të tjera të këtij sezoni, në ndeshjen me Egnatian ka pasur pakënaqësi për gjykimin dhe bëhet fjalë për një vendim që në minutat e para të takimit.
Bernard Berisha merr topin që nga mesfusha dhe del i vetëm përballë portierit, me këtë të fundit që i ndërhyn në mënyrë të gabuar duke i shkaktuar penallti. Por, pak sekonda më vonë ndërhyn sistemi VAR dhe anulon gjithçka për shkak të një pozicioni jashtë loje në nisje të aksionit ku pretendohet se Berisha është më i avancuar. Në fakt, në pamjet filmike nuk duket qartë nëse Berisha është apo jo më i avancuar duke qenë se pozicioni i kamerave nuk e lejon diçka të tillë.
Kamerat janë të vendosura në linjë me zonën ndërkohë që pozicioni i pretenduar është sapo kalon mesin e fushës, gjë e cila nuk lejon pamje të qartë por sipas vijave të vendosura nga sistemi, raportohet se pozicioni i Berishës është i parregullt. Por, kjo nuk është ndeshja e vetme ku Dinamo ka pretendime për gjykimin duke qenë se që nga java e dytë e kampionatit, ka pasur pakënaqësi.
Elbasani – Dinamo Naser Aliji ndëshkohet me karton të kuq në përballjen ndaj Elbasanit që në minutën e 31 të takimit. Kartoni për Alijin jepet si lojtari i fundit që shkakton faull, por skuadra e Dajës pretendon se Aliji nuk ka shkaktuar faull dhe se nuk ekziston karton, aq më tepër i kuq për Alijin. Në fund, Dinamo humbi 1-0.
Dinamo – Bylis Sa i përket përballjeve me ballshiotët, nga kampi blu bëjnë me dije se ka pasur pakënaqësi me gjykimin në të tria sfidat e luajtura. Në përballjen e javës së katërt në kryeqytet, është një pretendim për penallti nga kryeqytetasit, por gjyqtari nuk e konsideron të tillë. Në sfidën në Ballsh, të mbyllur me rezultatin 0-0 ka pasur një tjetër pretendim për penallti ku sërish nuk është dhënë si edhe në sfidën e fundit në kryeqytet, vendësit pretendojnë për një penallti të padhënë dhe një karton të kuq të munguar për Bylisin.
Dinamo – Teuta Përballja e javës së 10 të Superiores, solli polemika të shumta në lidhje me gjykimin e atij takimi. Në minutën e 61, Bekim Maliqi ndëshkohet me karton të kuq, ose më saktë me kartonin e dytë të verdhë në mënyrë të çuditshme. Në mesfushë ka një ndërhyrje të gabuar ndaj Maliqit, por gjyqtari nuk e konsideron të tillë dhe e ndëshkon lojtarin me kartonin e dytë të verdhë për simulim, duke e larguar. Sikur të mos mjaftonte kjo, vetëm pak minuta më vonë Përgjoni bën një ndërhyrje shumë të ashpër në mesfushë, por kalohet me karton të verdhë pavarësisht pretendimeve se ishte i kuq. Ajo sfidë përfundoi pa gola.
Vllaznia – Dinamo Shkodranët fitonin në Shkodër në një ndeshje me shumë tension dhe shumë polemika, të cilat zgjatën edhe shumë javë pas ndeshjes. Goli i shënuar nga Balaj, ishte shumë i dyshimtë për pozicion jashtë loje por konsiderohet i rregullt dhe lejon kuqeblutë të festojnë. Vetëm pak sekonda para fundit të pjesës së parë, Berisha barazon rezultatin por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje edhe pse në pamje filmike, nuk duket se kemi të bëjmë me diçka të tillë. Edhe gjatë ndeshjes, nga blutë ka pasur shumë polemika e protesta për vendimet.
Elbasani-Dinamo Blutë u mundën në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku sërish kishte pakënaqësi për gjykimin. Në pjesën e dytë të takimit, mungon një karton i kuq për skuadrën e Elbasanit, ku edhe klubi i Dinamos reagoi zyrtarisht në rrjetet sociale.
“Klubi FC Dinamo City dënon gjykimin e ndeshjes së sotme, me kryesor Juxhin Xhajën. Pamjet ku skuadra jonë dëmtohet janë shumë të qarta. Rasti më flagrant është ndërhyrja horror ndaj lojtarit tonë Ismaili në fundin e pjesës së parë. Xhaja me stemën e FIFA-s dhe çuditërisht edhe VAR-i mbyllin sytë… Ndjejmë detyrimin të reagojmë publikisht, duke qenë se gabimet flagrante të gjykimit kundër klubit tonë, janë të përsëritura. Çdokush mund të gjykojë vetë nga këto pamje. Për t’u përmendur është dhe rasti i golit të parë të kundërshtarit, ku ka një faull evident ndaj Nanit. FC Dinamo City kërkon vetëm drejtësi”, shkruhej në reagim.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













