Pushimi shton dilemat e Dajës, balotazhe në mbrojtje e mesfushë për ndeshjen me Teutën
Dinamo do të presë sot Teutën në stadiumin “Elbasan Arena”. Sfida e vlefshme për javën e 10 të Superiores, do të nisë në orën 17:00.

Ditën e djeshme, Dinamo ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore, ku mungesa e vetme ishtë ajo e Naser Alijit i cili ndodhet pranë familjes së tij, ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë e gatshme. Kështu, në portë do të jetë i përhershmi Aldo Teqja, ndërkohë që në të djathtë ka blinduar vendin e tij Bekim Maliqi. Në qendër të mbrojtjes do të jenë Bruno Dita dhe Teikseira.
Forma e mirë që po kalon Faton Neziri, ka futur në dilema trajnerin Ilir Daja i cili po mendon mes tij dhe Lorranit në krahun e majtë dhe me shumë gjasa mund ta nisë Neziri. Në mesfushë, Qefalija është në balotazh me Qardakun, me këtë të fundit që ka bërë mirë në javët e fundit, por që ndaj Teutës mund t’ia lërë vendin Qefalisë.
Ndërkohë, Gudiabi dhe Vila do të ndihmojnë sulmin që do të përbëhet nga Bregu e Nani në krahë dhe Guindo në qendër.
PANORAMASPORT.AL













