Protestat kundër regjimit, Irani ekzekuton me varje mundësin 19-vjeçar
Lufta që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli zhvillojnë kundër qeverisë islamike të Iranit nuk e ka ndalur këtë të fundit nga vazhdimi i represionit ndaj kundërshtarëve të brendshëm, dhe as nuk u ka ardhur shumë në ndihmë atyre që i kundërvihen regjimit. Në orët e fundit, regjimi i ajatollahëve ka ekzekutuar me varje tre persona.

Mes tyre ishte edhe Saleh Mohammadi, një mundës i nivelit të lartë, duke qenë se mundja është sport kombëtar në Iran, vetëm 19 vjeç. Sipas burimeve, Mohammadi akuzohej për vrasjen e një polici gjatë protestave masive kundër regjimit në muajin nëntor të kaluar, megjithëse vendimi gjyqësor e cilësonte fajin e tij si “armiqësi ndaj Zotit” dhe bashkëpunim me agjentë të huaj. Fillimisht, ekzekutimi pritej të bëhej publik, por burime iraniane bëjnë të ditur se të dënuarit janë varur në mënyrë të fshehtë, brenda një burgu në qytetin e Qomit, i konsideruar “i shenjtë” nga Republika Islamike.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së kishte kërkuar ndalimin e ekzekutimit. Të tre personat e ekzekutuar janë Saleh Mohammadi, Mehdi Ghasemi dhe Saeed Davoudi. Sipas raporteve të aktivistëve për të drejtat e njeriut në Iran, gjyqet janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pa garanci ligjore dhe pa të drejtë apelimi, ndërsa akuzat dyshohet se janë siguruar përmes torturës.
PANORAMASPORT.AL













