Presidenti Takaj kontrollon skuadrën/ Gjoka ka hall zëvendësuesin e mesfushorit titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2025 | 21:07

Presidenti Takaj kontrollon skuadrën/ Gjoka ka hall zëvendësuesin e mesfushorit titullar

Në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, Skënderbeu ka një hall jo fort të vogël për të zgjidhur. Mesfushori portugez Paolo Estrela ka plotësuar numrin e kartonëve të lejuar dhe për pasojë është i skualifikuar për ndeshjen e radhës.

vlcsnap-2024-12-03-14h08m44s873-e1733232408359-1024x534

Një goditje e madhe për korçarët, që kanë gjetur tek Estrela një mesfushor cilësor që ka dhënë një tjetër marsh sa i përket organizimit të lojës së korçarëve. Kjo mungesë duket se ka vënë në dilemë jo fort të vogël pankinën korçare, që është duke menduar dhe provuar zgjidhjet e mundshme për të plotësuar mungesën e regjisorit portugez.

Të pakën nga provat e bëra deri tani nga ana e trajnerit Ernest Gjoka, duket se Skënderbeu po kërkon zgjidhjen më të mirë të mundshme, duke mos humbur asgjë, qoftë në ndërtimin e aksioneve, ashtu edhe në fazën defensive. Në kushte të tilla pritet që Juri të jetë në fushë nga minuta e parë duke u bashkuar në mesin e fushës me Sibon.

estrela

Ndërsa dilema e vetme mbetet nëse do të jetë braziliani Lukinas apo afrikani Frenklin lojtari i tretë që do të kompletojë këtë repart. Me Lukinas, Skënderbeu fiton shumë në organizim, por Gjoka nuk është i bindur nëse do të jetë po aq i balancuar edhe në fazën defensive. Ndaj pritet që seanca e sotme të testojë edhe një herë balancat e ekipit për të dalë me një vendim për sa i përket formacionit të së shtunës.

ATMOSFERA – Prej dy ditësh korçarët janë zhvendosur në Durrës për të vijuar përgatitjet e ndeshjes në transfertë ndaj Egnatias. Një zgjedhje kjo e vetë klubit bardhëkuq, që ka kërkuar më shumë qetësi dhe përqendrim nga ekipi, në prag të një takimi shumë të rëndësishëm për pjesën e fundit të sezonit. Kjo zgjedhje është lidhur edhe me praninë e presidentit Ardjan Takaj, që çdo ditë ka qenë afër ekipit duke dhënë mbështetjen morale për të kaluar me sukses ndeshjen e ardhshme.

Takaj, veç takimeve të vazhdueshme me stafin teknik, ka pasur edhe takime me pjesën tjetër të ekipit duke u munduar të përçojë tek skuadra sinjalet pozitive. Takaj gjatë takimit me ekipin ka përcjellë qetësinë dhe përqendrimin te ndeshja e radhës, duke iu drejtuar ekipit me një fjalim të thjeshtë dhe motivues për të rritur përgjegjësinë në skuadër.

I bindur te forca e grupit, presidenti i korçarëve, veç mbështetjes së tij, u ka kërkuar lojtarëve që të bëjnë më të mirën e mundshme në dy javët e fundit për të arritur qëndrimin pa asnjë siklet në Superiore, një sforco që korçarët duhet ta bëjnë qysh në ndeshjen e së shtunës përballë kampionëve në fuqi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL