Prapaskena te Tirana, Ndriçim Babasi drejt shkarkimit. Çota: Do mundim Skënderbeun
Ndriçim Babasi pritet të shkarkohet nga vendimmarrja për drejtimin e Tiranës. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta për “Panorama Sport” pranë klubit bardheblu dhe bashkisë së kryeqytetit, e cila zotëron 100 për qind të aksioneve të këtij klubi. Donatori, i afruar në gusht të këtij viti, pritet të rikthehet në të njëjtin pozicion që ka pasur në fillim, pra të vetëm një sponsori të thjeshtë, duke mos pasur më mundësi që të jetë vendimmarrës në klub. Në vend të tij, kryetari i bashkisë, njëherësh edhe president i KF Tirana, Lulzim Basha, mund të emërojë donatorin tjetër, ish-presidentin Refik Halili ose Lutfi Nurin, edhe ky një ish-donator dhe ish-president i këtij klubi.
Prapaskenat Gjendja e vështirë dhe e paprecedentë në gjithë historinë e futbollit të kësaj skuadre pat detyruar kryetarin e bashkisë, z.Lulzim Basha, që të hidhej vetë në veprim, pavarësisht se nga gushti i këtij viti ka emëruar tre donatorë, të cilët merren me pjesën financiare, ndërsa ka vënë në drejtim edhe një administrator. Kështu, pas bisedave të shumta me specialistë, por duke marrë edhe mendimin e tifozëve të kësaj skuadre, Basha pat vendosur që të bënte një rokadë të vogël në drejtimin e klubit që javën e shkuar. Burime pranë klubit dhe bashkisë bëjnë me dije se kryebashkiaku ka dashur ta shkarkojë Babasin nga vendimmarrja që të premten e shkuar, por është këshilluar që ta shtynte një gjë të tillë për këtë javë, duke qenë se skuadra do zbriste në fushë një ditë më pas (të shtunën kundër Vllaznisë në “Qemal Stafa”) dhe kjo mund të ndikonte negativisht në moralin e saj.
Emërimi Gjatë këtyre ditëve Basha ka biseduar edhe me donatorë të tjerë, si dhe ekzistuesit (Halili dhe Morina), ndërkohë që dje ka pasur një takim me ishpresidentin Lutfi Nuri. Ky i fundit u pa në tribunën e “Qemal Stafa”-s, si rrallëherë gjatë kohëve të fundit, nën shoqërinë e Refik Halilit, me të cilin ka bashkëpunuar edhe në kohën e katër donatorëve (Nuri, Halili, Ngjela, Papuli). Sipas informacioneve, njëri nga këta të dy pritet të ketë vendimmarrje në klub dhe natyrisht të financojnë, me qëllim që Tiranës të mos i mungojë kjo pjesë e rëndësishme, për më tepër në kohën kur po i afrohemi merkatos. Kjo lëvizje po bëhet edhe për t’i dhënë një shtysë skuadrës dhe shpresë për mbijetesë, duke qenë se Tirana gjendet në vendin e fundit të renditjes, që prej javës së 11-të të Superiores. Sakaq, pas këtij ndryshimi, pritet që Halili ose Nuri të bëjnë një merkato cilësore, duke e përforcuar skuadrën, me qëllim që minimalisht të mos rrezikohet rënia (do ishte për herë të parë në histori) një kategori më poshtë.
Çfarë tha Basha për menaxhimin e klubit
Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ftuar në një universitet privat në kryeqytet para një jave, gjatë një bashkëbisedimi me studentët foli mes të tjerash edhe për situatën kritike që po kalon klubi 24 herë kampion. “Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën e Tiranës, klubit tonë të futbollit. Tiranës nuk i shkon vendi i fundit që mban në Kategorinë Superiore, ndaj kjo situatë duhet ndryshuar urgjentisht. Me ndryshim kam parasysh para së gjithash mënyrën e menaxhimit. Menaxhimi i klubit dhe i skuadrës duhen vënë në duar të sigurta. Po punojmë në këtë drejtim dhe shumë shpejt do bëjmë ndërhyrjet e duhura, sikurse kemi lëvizur diçka edhe në drejtimin teknik”, – tha ai.
“Mundim Skënderbeun, do të shënoj në Korçë”
Barazimi në “Qemal Stafa” ndaj një kundërshtari me traditë si Vllaznia i vlejti pak Tiranës në aspektin sportiv, por shumë në atë moral. Në skuadër ka më shumë qetësi dhe harmoni, aq sa nuk fshihet as nga Mirel Çota. Sulmuesi shënoi për herë të parë pas 13 javësh për këtë sezon dhe tani premton se do bëjë të njëjtën gjë edhe ndaj kampionëve në fuqi të Skënderbeut në takimin e kësaj të shtune në Korçë. Sakaq, 25-vjeçari vlerëson trajnerin Gugash Magani si personin e duhur për të rritur besimin e futbollistëve në këtë moment të vështirë.
Çota kthehet te goli pas shumë kohësh, besoj se jeni më i çliruar psikologjikisht tani apo jo?
Është normale që ndihem më i qetë dhe më i çliruar. U gëzova shumë, pasi kisha 13 ndeshje që nuk shënoja, edhe pse pata bërë të pamundurën në të gjitha takimet. Gjithsesi, përreth gëzimit të golit të parë për këtë sezon, do kisha dashur që edhe ta kishim fituar takimin, pasi luajtëm mirë dhe meritonim më shumë se një pikë ndaj Vllaznisë. Tani dua ta shfrytëzoj këtë moment të mirë për të bërë përpara dhe për të qenë rezultativ edhe në takimin e kësaj jave ndaj Skënderbeut në Korçë.
Dakord, por këtë javë Tirana nuk do ketë Semedon në dispozicion dhe ju do jeni i vetëm në sulm. A është kjo një barrë për ju?
Kur ke mundësi të luash me dy sulmues, është edhe më mirë, pasi ke më shumë alternativa, rastet janë më të shumta dhe mundësia për të fituar është më e madhe. Por, kur nuk e ke këtë mundësi, si në rastin e Semedos, pasi është i dëmtuar, atëherë gjithçka do varet në një farë mënyre nga unë. Personalisht do bëj të pamundurën që të mos zhgënjej askënd. Sakaq, pas këtij barazimi skuadra është disi më e qetë, ndaj do shkojmë në Korçë vetëm për rezultat pozitiv.
Magani, që në ditën e parë kur mori drejtimin e Tiranës, pohoi se Çota do luajë gjithnjë si sulmues kryesor, pra si “pykë”. Si e gjykoni këtë deklaratë?
Unë e shikoj si pozitive, pasi gjithnjë kam luajtur si “pykë”, në çdo skuadër ku kam qenë. Gjatë kohëve të fundit me Deden dhe Gallon në disa raste kam bërë edhe rolin e një sulmuesi të dytë ose të maskuar, por roli im natyral është i sulmuesit qendror dhe Magani më njeh mirë, ndaj edhe ka thënë një gjë të tillë.
Sa ka ndryshuar Çota me Maganin?
Shumë në aspektin psikologjik. Një trajner i mirë nuk është vetëm ai që të bën stërvitje, por edhe ai që të ndihmon të rritesh psikologjikisht nga njëra ndeshje në tjetrën dhe këtë veti Magani e ka me tepri.
Gjatë kësaj kohe që nuk keni shënuar, ka qenë Çota që i ka munguar skuadrës, apo skuadra nuk e ka ndihmuar Çotën të shënojë?
Unë them se skuadra i ka krijuar raste për shënim, por ne si sulmues nuk kemi shënuar. Në drejtim të portave kundërshtare kanë shkuar shumë topa, por nuk kemi pasur fat për të shënuar. Tani që u zhbllokova, uroj që të mos ndalem më.
Para dy vitesh i keni shënuar një gol Skënderbeut në Korçë kur luanit me Teutën, aq sa u duk se pas asaj fitoreje do ndryshonte rrjedha e kampionatit. Mendoni se, nëse bëni të njëjtën gjë, mund të ndryshojë rrjedha e të paktën Tiranës së sivjetme?
Absolutisht po. Unë gjykoj dhe besoj se edhe kolegët e mi e mendojnë kështu se Tirana po ndryshon rrjedhën e vet që nga ndeshja me Vllazninë. Sigurisht, fitorja do kishte qenë më mirë, por gjithsesi në skuadër ka më shumë besim. Ne do shkojmë në Korçë për të fituar dhe, nëse kjo gjë do vijë falë një goli timit, aq më mirë akoma. Sakaq, nëse fitojmë ndaj Skënderbeut, më së pari ndryshon totalisht rrjedha e kampionatit të Tiranës.
Mungojnë dy, rikthehen dy të tjerë
Ervis Kaja dhe Jose Semedo janë mungesa të sigurta të Tiranës për ndeshjen e kësaj jave ndaj Skënderbeut në Korçë. Që të dy lojtarët u detyruan të dilnin që në pjesën e parë gjatë takimit me Vllazninë për shkak dëmtimi, ndërsa dje nuk janë stërvitur fare me ekipin. Ndërkohë, rikthehet pas pezullimit me karton Endri Vrapi, teksa me grupin është stërvitur rregullisht dje edhe Gentian Muça, i cili ka vuajtur një dëmtim gjatë muajit të fundit. Dje mungonte në stërvitje kosovari Mensur Limani, i cili kishte marrë leje duke udhëtuar drejt familjes në Kosovë dhe do jetë pjesë e grupit vetëm ditën e sotme.
Formacioni, ja si luhet me kampionët
Në takimin e kësaj të shtune, Tirana pritet të luajë me një sulmues të vetëm, duke qenë se trajneri Magani ka në dispozicion vetëm Çotën. Kështu, në portë do të jetë Marsel Çaka, ndërsa nga e majta në të djathtë do të luajnë Kalari, Vrapi, Pashaj dhe Kërçiku. Në mesin e fushës nga e djathta pritet të luajë Taku, në qendër Gentian Muça dhe Karabeci, kurse në të majtë, por me detyra më së shumti sulmuese, mund të luajë Ardit Peposhi. Pas Çotës do luajë Mensur Limani. Kështu Tirana do mundohet t’u marrë mesfushën korçarëve, kjo e konsideruar si pika më e fortë e kësaj skuadre, e cila do udhëtojë të premten drejt Korçës.
LEONARD KARAJ













