BOKS/ Debate për arenën e duelit Xhoshua-Furi! Ata nuk i llogarisin, por pengesë mund të bëhen shqiptarët
Një destinacion i papritur ka dalë në skenë si kandidat për të organizuar superduelin e shumëpritur mes Tajson Furit dhe Antoni Xhoshuas.

Furi dhe Xhoshua janë në rrugën e duhur për t’u përballur më në fund në një ndeshje të madhe britanike në kategorinë e peshave të rënda, e planifikuar për muajin nëntor, ndërsa të dy boksierët kanë firmosur tashmë kontratat për këtë përballje. Vendndodhja e sfidës ende nuk është konfirmuar, por sipas “Boxing Scene”, stadiumi “SoFi” me kapacitet prej 70 mijë spektatorësh në Inglewood të Kalifornisë është diskutuar si një nga opsionet për organizimin e duelit.
Megjithatë, nga ana tjetër, gazetari i njohur i boksit, Dan Rafael, këmbëngul se ndeshja nuk do të zhvillohet në Kaliforni, por në Mbretërinë e Bashkuar. Përballja e shumëpritur varet nga fakti që të dy boksierët duhet të fitojnë fillimisht duelet paraprake. Xhoshua do të përballet me Kristian Prengën më 25 korrik në Riad, ndërsa Furi ka gjasa të rikthehet në ring gjatë muajit gusht, edhe pse kundërshtari i tij ende nuk është bërë publik, ndërsa një kandidaturë si rival është përfolur një tjetër boksier shqiptar, Nelson Hysa.
Duke u rikthyer te Xhoshua, ai do të ngjitet në ring për herë të parë që nga fitorja ndaj Xhejk Pol me nokaut në muajin dhjetor. Ish-kampioni i dyfishtë i botës në peshat e rënda u përfshi vetëm 10 ditë më vonë në një aksident tragjik automobilistik, ku humbën jetën dy miq të tij të ngushtë, ndërsa vetë ai shpëtoi me lëndime të lehta.
Superdueli Xhoshua–Furi do të organizohet nga drejtuesi saudit i boksit, Turki Alalshikh, por debatet mbi atë se kush do të ketë rolin kryesor në promovimin e eventit vazhdojnë prej kohësh mes promotorëve. Presidenti i “Zuffa Boxing”, Dana Uajt, ka deklaruar vazhdimisht se kompania e tij, pjesërisht në pronësi të Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite, do të jetë përgjegjëse për promovimin e eventit.
Nga ana tjetër, promotori i Xhoshuas, Edie Hërn, dhe promotori i Furit-t, Frank Uorren, kanë këmbëngulur se kontrata parashikon qartë që “Zuffa” nuk mund të përfshihet në organizimin e kësaj ndeshjeje.
“A e kanë bërë të ditur se ku do të zhvillohet kjo ndeshje?”, tha Uajt gjatë një prononcimi të dhënë të shtunën. “Unë e di se ku do të zhvillohet. A mendoni se do të dilja publikisht dhe të gënjeja, për t’u dukur si idiot para të gjithëve? Çfarë kuptimi do të kishte kjo?”, shtoi Uajt. Ndërkohë, Furi u rikthye nga pensionimi për të mposhtur Arslanbek Makhmudov në muajin prill. “The Gypsy King”, i cili është rikthyer në Tajlandë për kampin stërvitor, kërkoi menjëherë një përballje me rivalin e tij të vjetër, Antoni Xhoshua, i cili po e ndiqte ndeshjen pranë ringut në stadiumin “Tottenham Hotspur”.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













