Pogradeci mbetet pa “motorin” e mesfushës, ja pistat për të ardhmen e 26-vjeçarit
Suleiman Danladi dhe Pogradeci kanë ndarë rrugët pas tre sezonesh të mbushura me emocione, suksese dhe objektiva të mëdha. Mesfushori nigerian, i cili u kthye në një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës liqenore, nuk do të jetë më pjesë e Pogradecit në sezonin e ardhshëm, pasi palët nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.

Largimi i 26-vjeçarit konsiderohet një goditje e ndjeshme për ekipin pogradecar, pasi Danladi ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës në vitet e fundit. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme, forcën fizike, aftësinë për të kontrolluar ritmin e lojës dhe eksperiencën e fituar në futbollin shqiptar, ai u shndërrua në një nga mesfushorët më cilësorë të huaj të Kategorisë së Parë. Kontributi i tij ishte vendimtar në fitimin e titullit kampion në Kategorinë e Dytë, ndërsa më pas ishte protagonist edhe në dy sezonet ku Pogradeci arriti deri në finalet e “play off”-it për ngjitjen në Superiore. Edhe pse ëndrra për elitën mbeti e parealizuar, Danladi la gjurmë të rëndësishme në historinë e viteve të fundit të klubit liqenor. Tashmë emri i tij është kthyer në një nga më të përfolurit në merkato.
Burime pranë futbollistit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se ofertat nuk mungojnë. Interes konkret ka nga disa skuadra të Superiores shqiptare, ndërsa pista të tjera vijnë nga liga e dytë ruse, liga e dytë sllovake dhe elita e futbollit maqedonas. Megjithatë, vetë lojtari po tregohet i rezervuar dhe po analizon me kujdes alternativat për të zgjedhur hapin më të rëndësishëm të karrierës së tij. Largimi i Danladit shënon fundin e një epoke të rëndësishme për Pogradecin, por njëkohësisht hap një kapitull të ri për mesfushorin Nigerian.
Situata te liqenorët
Ndërkohë, te Pogradeci vazhdojnë reflektimet pas një tjetër sezoni të mbyllur me zhgënjim. Që prej 16 majit, kur skuadra u mposht nga Teuta në finalen e “play off”-it dhe humbi mundësinë për t’u ngjitur në Superiore, në kampin liqenor mbizotëron qetësia e pushimeve. Futbollistët janë pranë familjeve të tyre, ndërsa rikthimi në stërvitje pritet në fund të muajit qershor. Edhe pse ende mungon një konfirmim zyrtar, gjithçka të çon te vazhdimi i bashkëpunimit me trajnerin Emiljano Çela. Presidenti Armand Lilo duket i vendosur t’i besojë sërish pankinën teknikut që e ka udhëhequr ekipin në dy sezonet e fundit pranë objektivit madhor. Sinjalet e para vijnë edhe nga merkatoja, ku përflitet afrimi i sulmuesit Silvio Zogaj, një futbollist që ka punuar më parë me Çelën te Kastrioti dhe Flamurtari.
Përveç Danlandit, skuadra ka humbur edhe mbrojtësin maqedonas Toshevski, duke e bërë edhe më të domosdoshëm një rindërtim të kujdesshëm të organikës. Burime pranë klubit bëjnë me dije se trajneri pritet të ketë rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e afrimeve të reja, me synimin për të krijuar një skuadër edhe më konkurruese. Sezoni 2026-2027 shihet si momenti i së vërtetës për Pogradecin. Pas dy dështimeve radhazi në prag të Superiores, liqenorët janë të vendosur të provojnë sërish. Por rruga nuk do të jetë e lehtë. Flamurtari, Bylisi, Besa dhe Besëlidhja e sapongjitur po ndërtojnë skuadra ambicioze, çka premton një kampionat të fortë dhe një garë të ashpër për biletën drejt elitës së futbollit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













