Konfirmohet lajmi i “Panorama Sport”, futbollisti i jep lamtumirën Egnatias pas titullit kampion: Po mbyllet një kapitull i veçantë
Anio Poçi nuk është më një futbollist i Egnatias. Lajmin e publikuar nga “Panorama Sport” e ka konfirmuar vetë futbollisti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar largimin nga kampionët.

“Një kapitull i veçantë po mbyllet.
Dua të falënderoj sinqerisht klubin, drejtuesit, stafin teknik, bashkëlojtarët e mi dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi për besimin, mbështetjen dhe respektin gjatë këtij sezoni.
Para një viti erdha me ambicie dhe dëshirë për të dhënë më të mirën time. Sot largohem me kujtime të paharrueshme, miqësi të vërteta dhe krenarinë që së bashku arritëm të shpallemi kampionë.
Një falënderim i veçantë shkon për tifozët, të cilët na mbështetën në çdo moment dhe na dhanë forcë gjatë gjithë sezonit. Faleminderit Egnatia”, ishte postimi i Poçit.
Mbrojtësi erdhi në merkaton e verës së vitit 2025 dhe u kthye në një element të rëndësishëm gjatë sezonit për shkak të problemeve të Xhemajlit dhe Sotës që ishin dyshja titullar e mbrojtjes së rrogozhinasve.
PANORAMASPORT.AL













