Partizani në pritje të fushës, rikonstruksioni sjell probleme në klub

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2026 | 15:33

Partizani në pritje të fushës, rikonstruksioni sjell probleme në klub

Partizani do t’i rikthehet zyrtarisht stërvitjes më 25 qershor, duke hapur përgatitjet për sezonin e ri. Megjithatë, të kuqtë nuk do ta nisin punën në shtëpinë e tyre, pasi Arena e Demave vijon të jetë nën rikonstruksion.

partizani stadiumi 1

Për këtë arsye, skuadra e parë do të zhvillojë seancat stërvitore në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, derisa punimet në kompleksin e klubit të përfundojnë. Drejtuesit shpresojnë që gjithçka të jetë gati në fund të muajit gusht, periudhë që përkon edhe me startin e kampionatit të ri. Objektivi është që Partizani të rikthehet sa më shpejt në Arenën e Demave dhe të zhvillojë aty ndeshjet e para të sezonit.

Në kampin e të kuqve ekziston dëshira për të shmangur zhvendosjen në qytete të tjera, një skenar që do të komplikonte organizimin e aktivitetit sportiv. Situata bëhet edhe më delikate për faktin se edhe stadiumi “Air Albania” është i përfshirë nga punime. Kjo e bën të vështirë mundësinë që Partizani të përdorë impiantin kombëtar në rast se rikonstruksioni në Arenën e Demave nuk do të përfundojë sipas afateve të parashikuara.

Ndërkohë, efektet e punimeve nuk prekin vetëm ekipin e parë. Edhe moshat e klubit janë detyruar të ndryshojnë programin e tyre të punës. Të rinjtë e Partizanit pritet të stërviten në Kamzë deri në momentin që të përfundojnë dhe të bëhen funksionale dy terrene të tjera stërvitore. Megjithatë, sfidat nuk do të mbarojnë menjëherë me përfundimin e rikonstruksionit. Fusha e re hibride do të kërkojë menaxhim të kujdesshëm dhe përdorim të kontrolluar gjatë javës.

Sipas praktikave të rekomanduara për këtë lloj terreni, idealja do të ishte që skuadra të zhvillonte jo më shumë se dy seanca stërvitore në javë në fushën kryesore, ndërsa më pas ta përdorte atë edhe për ndeshjen zyrtare. Kjo situatë ngre pikëpyetje për organizimin e pjesës tjetër të stërvitjeve gjatë javës dhe për terrenet alternative që do të përdorë ekipi për të përballuar ngarkesën e sezonit. Pavarësisht vështirësive, në kampin e kuq mbizotëron optimizmi.

Drejtuesit besojnë se do të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme për t’i garantuar ekipit kushtet e nevojshme të punës. Qëllimi mbetet i qartë: krijimi i një ambienti sa më profesional për lojtarët dhe ndërtimi i një skuadre konkurruese. Partizani synon të rikthehet në garën për objektivat madhorë dhe të luajë një rol protagonist në sezonin e ardhshëm, ndërsa pret me padurim rikthimin e plotë në Arenën e rinovuar të Demave.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL