“Pole” për garën Sprint, Hamilton e nis mbarë në Angli
Luis Hamilton i Fer rarit siguroi “pole position” për garën Sprint në Silverston, duke e ndalur kronometrin në kohën 1:28.376, për të mposhtur vetëm me 11 të mijtat e sekondës italianin Andrea Kimi Antoneli të Mercedesit. Në rreshtin e dytë do të nisen Maks Vershtapen me Red Bullin e tij dhe Sharl Lëklerk me Ferrarin tjetër SF-26.

Xhorxh Rasëll nuk shkoi më shumë se vendi i pestë dhe do të nisë nga pjesa e brendshme e rreshtit të tretë, përkrah kampionit në fuqi të botës, Lando Norris. Nga rreshti i katërt do të startojnë Oskar Piastri dhe Isak Haxhar, ndërsa dy pilotët e Racing Bulls, Liam Louson dhe Arvid Lindblad, kompletojnë dhjetëshen e parë.
Rreshti i gjashtë përfshin Pierr Gasli me Alpine, i cili mbeti jashtë Q3 si piloti i parë i eliminuar në fund të Q2, ndërsa në krah të tij do të jetë Gabriel Bortoleto me Audi. Në rreshtin e shtatë renditen Niko Hulkenberg me Audin tjetër dhe Franko Colapinto me Alpine. Nga rreshti i tetë do të nisen dy Uilliams-Mercedesët, të pajisura me përditësime të pjesshme, të drejtuara nga Karlos Sainz dhe Aleksandër Albon.
Oliver Bearman (HaasFerrari), i eliminuari i parë në fund të Q1, do të nisë nga pjesa e brendshme e rreshtit të nëntë, përkrah shokut të skuadrës Esteban Okon. Renditja sipas çifteve vazhdon edhe në rreshtin e dhjetë, ku pozicionohen dy makinat Kadillak, të pajisura gjithashtu me njësinë e fuqisë Ferrari, të drejtuara nga Serxhio Perez dhe Valteri Botas.
Formacioni mbyllet me rreshtin e njëmbëdhjetë, ku fatkeqësisht për ta, tashmë një skenar i njohur, do të nisen dy makinat Aston Martin të Fernando Alonsos dhe Lans Strollit. Kështu fundjava e Çmimit të Madh të Britanisë në Formula 1 hapet nën shenjën e Luis Hamiltonit, me shtatë herë kampionin e botës që tregon menjëherë muskujt. Të shtunën në orën 13:00 do të jetë radha për garën Sprint, për të vijuar në orën 17:00 me kualifikueset. Çmimi i Madh do të startojë të dielën në orën 16:00.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













