Çfarë po ndodh te Dinamo? “Nëndetësen” e braktisin edhe lojtarët nën kontratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2026 | 10:58

Çfarë po ndodh te Dinamo? “Nëndetësen” e braktisin edhe lojtarët nën kontratë

Situata te Dinamo po shfaq gjithnjë e më shumë shenja që skuadra nuk është gati në prag të ndeshjeve të Ligës së Konferencës, ku përveç largimeve të zakonshme të lojtarëve me kontrata të përfunduara, tashmë shqetësimi kryesor lidhet me futbollistët që janë ende nën kontratë, por nuk janë bashkuar me ekipin.

dinamo

Burime pranë klubit bëjnë me dije se një pjesë e lojtarëve që konsiderohen pjesë e projektit për sezonin e ri, ende nuk janë vënë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja, duke krijuar një boshllëk të dukshëm në përgatitjet e skuadrës. Në këtë klimë të tensionuar, situata individuale e disa futbollistëve ka shtuar edhe më shumë pasigurinë në kampin dinamovit. Mesfushori Nani raportohet se ka refuzuar të rikthehet në skuadër në këtë fazë përgatitore, duke lënë një pikëpyetje të madhe mbi të ardhmen e tij te klubi kryeqytetas. Ndërkohë, një tjetër emër, Bakari Gudiabi, mësohet se ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Dinamo, duke kërkuar zgjidhje për ndërprerjen e bashkëpunimit, pavarësisht kontratës ekzistuese.

Probleme ka edhe me sulmuesin Ibrahim Mustafa, i cili ndodhet aktualisht në Nigeri dhe nuk është bashkuar ende me ekipin për shkak të vështirësive me dokumentacionin, duke e bërë të paqartë afatin e rikthimit të tij në Shqipëri. Mustafas i ka përfunduar viza dhe është në pritje, teksa duket thuajse e pamundur që të jetë gati për ndeshjen ndaj Astanës, pasi edhe nëse kthehet në kohë, gjendja fizike nuk është optimale duke pasur parasysh faktin se prej javësh është me pushime.

Këto zhvillime vijnë në një moment tepër delikat për Dinamon, e cila po përgatitet për sfidat europiane, ndërsa lista e mungesave dhe çështjeve të hapura brenda skuadrës po zgjerohet dita ditës. Situata e krijuar ngre pikëpyetje serioze mbi stabilitetin e grupit dhe gatishmërinë reale të ekipit për të përballuar një kundërshtar të fortë si Astana, në një periudhë ku çdo detaj mund të ketë peshë vendimtare në rezultat. Disa javë më parë, Dinamo u përball edhe me largime të disa lojtarëve të rëndësishëm që ishin pa kontrata dhe nuk ranë dakord për rinovimin e kontratës.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL