Pikantet Vllaznia-Flamurtari/ Tifozët braktisin shkodranët, Krymi shkon 300 ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2025 | 20:18

Pikantet Vllaznia-Flamurtari/ Tifozët braktisin shkodranët, Krymi shkon 300 ndeshje

Ndeshja në “Loro Boriçi” nuk prodhoi vetëm gola dhe pikë të rëndësishme, por edhe shumë detaje që shpesh kalojnë pa u vënë re në fushë.

Vllaznia tifozet

Nga atmosfera e vakët në tribuna, te reagimet e trajnerëve, komunikimi mes lojtarëve dhe momentet simbolike para startit të takimit, sfida mes Vllaznisë dhe Flamurtarit ofroi një sërë elementësh interesantë që e pasurojnë panoramën e këtij dueli.

-Atmosferë e vakët në “Loro Boriçi”, pavarësisht se është ndeshja e fundit e vitit të pranishmit nuk e kalojnë numrin 1000 në shkallët e stadiumit.

-Ka një nderim për Ardit Krymin para nisjes së takimit. Një fanellë me numrin 300 i dorëzohet nga ana e Sinanit, mesfushorit. Shifër që simbolizon numrin e ndeshjeve të luajtura me fanellën kuqeblu për shkodranin.

Krymi 300 ndeshje

-Kristian Dros, i cili është i dëmtuar prej disa kohësh te Vllaznia, preferon ta ndjekë takimin nga tribuna e gazetarëve.

-Një “trajner” nga prapavija është Pohls për Vllazninë, ku portieri gjerman jep shpesh udhëzime për shokët e tij.

-“Mos u nxito” janë fjalët me të cilat i drejtohet Martini në një moment Kallakut, kur ky i fundit gabon një pasim në një kundër sulm të kuqebluve.

-“Marku ku shkon? Janë 2 aty”, me këtë fjali komunikon Moriero me mesfushorin e tij, që në një moment lë një hapësirë mes dy fanellave kuqeblu.

-Nuk mungojnë as batuat e tifozëve shkodranë për lojën e mirë të ekipit të tyre, ku shprehen me fjalët: “ku ishit javët e shkuara?”

-I pakënaqur Moriero me disa gabime radhazi të skuadrës së tij. “Djem nuk luhet kështu futboll” janë fjalët e italianit të stolit vlonjat.

-Irritohet shumë Martini në një moment me Bismark, i cili nuk lufton për një top në mesfushë. Trajneri shkodran i kërkon sulmuesit me tone të larta që ta marrë topin.

-Mbyllet në fund me suksesin e shkodranëve, që rikthehen tek fitorja dhe qetësia disi pas 6 ndeshjesh. Teksa për Flamurtarin vijon momenti i vështirë në fundin e pjesës së parë të sezonit.

PANORAMASPORT.AL