Pikantet e Tirana-Vllaznia/ Xhaferi mbledhje me skuadrën, Bajrami shtyn kapësin e topave
Atmosfera e “klasikes” mes Tiranës dhe Vllaznisë Shkodër nisi nën tension dhe kontraste të forta në tribuna. Në startin e sfidës, prania e tifozëve shkodranë ishte e vakët, ndërsa krahu bardheblu numëronte rreth 4 mijë mbështetës, duke krijuar një epërsi të ndjeshme në atmosferë. Me kalimin e minutave, edhe përkrahësit e Vllaznisë mbushën sektorët e tyre, duke i dhënë ndeshjes ngjyrat e zakonshme të rivalitetit.

Pak para vërshëllimës së parë, fusha u lag për të përmirësuar kushtet e lojës, ndërsa jashtë saj tensioni ishte i prekshëm, me përplasje të forta mes tifozërive dhe një prani të shtuar të policisë në gatishmëri të plotë. Në fushë, loja u shoqërua me polemika të shumta dhe episode nervozizmi. Momentet kyçe, si ai i penalltisë, ndezën protesta të ashpra nga kampi shkodran, me trajnerin Martini dhe stafin që shpërthyen në ankesa të vazhdueshme ndaj vendimeve të gjyqtarit Kreshnik Cjapi.
Situata kulmoi në minutën e 60-të, kur një tjetër penallti e pretenduar solli hyrjen e trajnerit në fushë dhe ndëshkime nga arbitri, duke mbajtur gjallë tensionin deri në fund të takimit. Incidentet nuk munguan as gjatë lojës, me përplasje mes lojtarëve, stafeve dhe madje edhe episode që përfshinë fëmijët e topave, duke e kthyer sfidën në një duel të ashpër jo vetëm sportiv, por edhe emocional.
-Shumë pak tifozë në fillim të lojës nga Vllaznia, ndërkohë që nga krahu i Tiranës bëhen rreth 4 mijë. Pa më vonë vijnë edhe përkrahësit shkodranë.
-Para se të nisë ndeshja, laget fusha.
-Përplasja mes tifozërive ka qenë e ashpër, ndërkohë që policia ka qenë në gatishmëri për çdo moment.
-Në momentin e penalltisë, Martini dhe Sinani ankohen. Janë të papërmbajtshëm në fushë. Protestat e tyre vazhdojnë deri në fund.
-Protestë për një penallti të pretenduar nga Vllaznia në minutën 60-të, Martini hyn në fushë, ndërsa gjyqtari Cjapi është i rreptë dhe ndëshkon një nga pjesëtarët e stafit.
-Incident gjatë ndeshjes. Në një rivënie anësore, Bajrami shtyn dhe shkel një nga fëmijët e topave. Plas sherri me të gjithë. Ndërhyjnë trajnerët që qetësojnë situatën. Bajrami ndëshkohet me të verdhë
-Martini qetëson Kallakun, pasi ky i fundit nuk lëshon topin dhe polemizon me gjyqtarin. Kallaku në fund kapet edhe me delegatin e ndeshjes, Engli Kokona. Polemikë që zgjat jo pak.
-Ergin Doda e mbyll me gjykimin. Anësori që ka qenë edhe i FIFA-s luajti ndeshjen e fundit në Superiore. Shoqata e gjyqtarëve i dorëzoi një bluzë të kornizuar dhe një simbol. Doda e ka nisur gjykimin në vitin 1997-të.
-Polemika në fund të ndeshjes. Drejtuesit e Vllaznisë e kanë me gjyqtarin Cjapi. Në dalje fluturojnë bidonët.
-Alban Xhaferi ka zbritur në dhomat e zhveshjeve dhe ka qëndruar me skuadrën për rreth 40 minuta. Ka qenë një takim kokë më kokë me trajnerin Martini dhe veçmas me lojtarët.
-Tjetër kanë marrë shpërblim bardheblutë. Po kështu, shpërblim kanë marrë edhe në Durrës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













