Pikantet e Tirana-Skënderbeu/ Kristal Abazaj si tifoz special, mund të rivishet bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2025 | 14:48

Pikantet e Tirana-Skënderbeu/ Kristal Abazaj si tifoz special, mund të rivishet bardheblu

Numri i tifozëve në Tirana-Skënderbeu, dje në “Elbasan Arena”, nuk shkonte më shumë se 300.

tirana

Ra në sy prezenca e “Tirona Fanatics”, që mbështetën skuadrën e tyre. Njëkohësisht nuk harruan edhe të thumbonin korçarët me anë të serenatave korçare të kënduar sipas mënyrës së ultrasve. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes.

– Ekipin e Tiranës e ndoqi nga afër në këtë ndeshje edhe ish-futbollisti i tyre, Kristal Abazaj. Çudi nuk është që sulmuesi të kthehet e të vishet bardheblu.

– Në minutën e 26-të, Liridon Balaj, ankohet tek arbitri për një ndërhyrje ndaj tij. Kryesori ia bën me shenjë që të mos vijojë me ankesat.

– Klevis Shaqe mesa duket ka probleme me këpucët, sepse përfiton nga një ndalesë e lojës në minutën e 28-të dhe i ndërron ato.

– Në mesin e pjesës së dytë ultrasit e Tiranës ndezin flakadanë dhe i hedhin në fushë. Gjyqtari ndal lojën deri sa të largohen dhe është sulmuesi i Tiranës, Admir Bajroviç, i cili i largon ato nga fusha.

– Ernest Gjoka vë duart në kokë tek pretendimi për penallti i Nikajt, duke mos i besuar syve që nuk u akordua. Për protesta ndëshkohet me të verdhë ndihmësi i tij, Gentjan Liço.

– Gjoka i kërkon kapitenit Prençi që t’u japë zemër shokëve të skuadrës pas golit të pësuar, pasi ka ende minuta lojë.

PANORAMASPORT.AL