Pikantet e Partizani-Egnatia/ Aleksi kërcen me 50-she, Atanaskoski shfryn për ndërrimin! Gjysmëfinale plot tension e nerva (E PLOTË)
“Panorama Sport” ju sjell disa nga mo mentet pikante që karakterizuan gjysmëfinalen e djeshme të Kupës mes Partizanit dhe Egnatias, e luajtur në “Arenën e Demave” dhe e fituar 0-2 nga rrogozhinasit, që shkojnë kështu në finale. Të pranishëm ishin afro 1 mijë spektatorë.

Aleksi duke kërcyer me shokët me para në dorë
* Ndeshja ndizet që në çastet e para me Egnatian, që proteston me shumë forcë për një rivënie anësore kundër tyre, me Lushkjen që e kontrolloi topin brenda fushës, por Ferataj mendoi ndryshe.
* Lushkja mbetet i dëmtuar në një duel me Mehmetin pa u mbushur minuta e 20- të. Ai reklamon një problem në kavilje. Pas ndërhyrjes së mjekëve në fushë, i duhet të dalë jashtë fushës. Afrohet Tetova dhe pas një bisede të shkurtër, mjekët i fashojnë fort kaviljen kavajasit dhe e rikthejnë në fushë. Kavajasi luan deri në fund të pjesës së parë dhe më pas sinjalizon stafin për ndërrim. Stafi e nxjerr dhe aktivizon Jahajën.
* Qirko bie pre e disa ndërhyrjeve në duele ajrore në zonë dhe duket se durimi nuk i mban më, duke e shfryrë ndaj Bakajokos në një duel trup më trup pranë gjyqtarit Ferataj. Ky i fundit i qetëson gjakrat me shpejtësi.
* Faullet e shumta të akorduara nga arbitri Ferataj i acarojnë jo pak lojtarët e Egnatias, me Aleksin, që si zakonisht është më energjiku dhe reaguesi. Tetova kërkon ta mbajë në kontroll dhe e thërret me forcë nga tribuna duke i thënë: “Mos protesto, fare, fare”. Këto fjalë shoqërohen edhe nga gjestet, që thonë të njëjtën gjë. Tentativa e Tetovës nuk funksionon, sepse në të dytën shtesë të së parës mesfushori “zverdhet”.
* Keko merr një goditje në fytyrë dhe mbetet i dëmtuar, me Egnatian, që nuk e ndal lojën derisa këtë e sinjalizon Ferataj. Ndërhyjnë mjekët, me Dajsinanin që është mosbesues për dëmtimin dhe shkon të shohë nga pranë. Më pas protestat e Aleksit nuk ndalen, aq sa shkon dhe bisedon edhe me vëzhguesin e ndeshjes, Ervis Peza.
* Një ndërhyrje e ashpër e Bytyçit ndaj Zejnullair, shkakton zemërim nga lojtarët e Egnatias, që mësyjnë ndaj Bytyçit. Gega, i ndodhur aty pranë, hyn në fushë për të qetësuar gjakrat, teksa të shumta janë pretendimet edhe për karton të kuq. Bytyçi merr vetëm të verdhë.
* Partizani provon ta ruajë rezultatin në çdo mënyrë, me Mehmetin, që shtrihet në fushë në momentin e ndërrimit dhe kërkon ndërhyrjen e mjekëve. Nuk mungon tensioni as në këtë moment me mesfushorin e Partizanit, që ndëshkohet me karton të verdhë.
* Në minutën e 44-t Keko humbet një rast të artë nga vetëm 5-6 metra larg me portën e boshatisur. Të kuqtë nuk u besojnë syve, me Gegën, që vë duart mbi kokë.
* Një top që del nga fusha, shkon në duart e një tifozi, që refuzon ta kthejë në fushë dhe përplaset në distancë me një nga lojtarët e Egnatias. Duhet ndërhyrja e forcave “Shqiponja” që tifozi të lëshojë topin dhe të ndalë ofendimet ndaj lojtarëve rrogozhinas.
* Dy anësore radhazi, njëra shkon në duart e Gegës, që e kthen direkt në fushë dhe Fernando përgjigjet me një gjuajtje tjetër, që shkon jashtë stadiumit “Arena e Demave”.
* Atanaskoski hyn në fushë në të 91’-ën dhe del pas vetëm 15 minutash lojë, pas vendimit të Gegës, që pak çaste para kësaj e kritikoi për një gabim gjatë aksionit. Atanaskoski del nga fusha dhe nuk e fsheh inatin, duke shqelmuar edhe një send që i del para.
* Në fund ka pasur festë në dhomat e zhveshjes nga lojtarët e Egnatias, me presidentin Demrozi, që duket se ka shpërndarë premio menjëherë pas ndeshjes. Në fotot e siguruara nga gazeta, Aleksi shfaqet duke kërcyer me një “top” me 50 euroshe në dorë.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













