Pikantet e Egnatia-Vllaznia/ Kastrati lë fushën mes lotësh, rrogozhinasit braktisin ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2026 | 16:49

Pikantet e Egnatia-Vllaznia/ Kastrati lë fushën mes lotësh, rrogozhinasit braktisin ndeshjen

egnatia-vllaznia

– Në stadium pati një numër të konsiderueshëm tifozësh, me mbi 2 mijë të pranishëm. Nuk munguan as dy grupimet ultras të skuadrave respektive. Një numër i konsiderushëm tifozësh nga Shkodra ishin për të mbështetur Vllazninë.

– Luanin dy ekipet e kreut dhe që i kanë dhënë tonin dutbollit shqiptar edicioneve të fundit. Për këtë arsye, në tribunë ishte edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili e pa ndeshjen krah Demorozit dhe Xhaferrit.

– Lirim Kastrati lë lojën mes lotësh në fundin e pjesës së parë, teksa pëson një ndërhyrje nga Xhemajli. Ai mbulon fytyrën me bluze teksa merr ndihmën e parë.

– Gjatë momentit që Kastrati ishte i shtrirë, mesa duket vjen ndonjë ofendim nga tifozët. Është Balaj ai që bën një replikë të vogël me ta, duke i kujtuar ndoshta që nuk është momenti për ofendime.

– Tifozët e Egnatias duartrokasin Kastratin në momentin që ky i fundit lë fushën.

– Portieri i Vllaznisë, Pohls, shihet teksa përpiqet të kënaqë djemtë e vegjël që kapin topat, të cilët kaluan pranë tij në fundin e pjesës së parë dhe i pasuan topin.

– Edi Martini nis të ndiejë të ftohtë në pjesën e dytë, pasi vesh xhupin. Në të parën qëndroi i veshur më hollë.

– Një situatë kaotike u regjistrua në minutën e 71- të, në duelin mes Egnatias dhe Vllaznisë, ku i pranishëm është edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka. Gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Xhemajli, pas një dueli me Bekim Balajn. Ky moment solli nervozizëm, teksa Egnatia braktisi fushën për disa momente. Aleksi i merr të gjithë zvarrë nga fusha, ndërsa përplaset me Qaton dhe Balajn si dhe me vëzhguesin e ndeshjes, Sokol Çekaj. Stafi i Egnatias mundohet që të mbajë lojtarët brenda vijave të lojës, ndonëse Poçi në një moment doli jashtë fushe dhe duhej ndëshkuar me të verdhë.

-Lata shkon në monitorin e VAR-it, për të parë momentin, ndërkohë që i qëndroi vendimit të tij, duke konfirmuar kartonin e kuq për mbrojtësin e skuadrës rrogozhinase. Kjo situatë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes stafeve dhe futbollistëve. E pëson edhe trajneri Tetova që ndëshkohet me karton të kuq. Egnatia rikthehet në fushë pas afro 7 minutash proteste.

– Figura të shumta sportive në tribuna. Regi Lushkja e Renato Malota janë ish-ë të këtij takimi që kishin zgjedhur të shihnin ndeshjen nga tribuna.

– Tifozët e Vllaznisë mbushin tribunën e tyre me banera dhe flamuj kuqeblu. – Ofendime në kor nga tifozët vendës për Elbasanin, edhe pse ndeshja ishte mes Egnatias e Vllaznisë.

– Asnjë karton i verdhë nuk u dha në pjesën e parë nga kryesori Lata edhe pse pati disa ndërprerje. – Goditja e Albanezes në pjesën e parë shkund rrjetën e jashtme dhe jep iluzionin e golit te tifozët vendës, të cilët festojnë.

– Për fillimin e pjesës së dytë, skuadrat dolën rreth 5 minuta me vonesë. Shkak u bë ndërprerja e ndeshjes pas dëmtimit të Kastratit. – Vllaznia e mbylli pjesën e parë me një lojtar më pak pas dëmtimit të Kastratit dhe menjëherë në të dytën e nis me dy zëvendësime.

– Martini largon nga loja Salën, të aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë. Ky i fundit largohet i pakënaqur nga fusha.

– Barela ndërhyn sërish në fushë, këtë herë për Flamur Ruçin e Egnatias, i cili dëmtohet në mesfushë. – Tetova ndëshkohet me karton të kuq, teksa nuk e kupton arsyen. Afrohet Bastari për t’ia shpjeguar.

PANORAMASPORT.AL