Pikantet e Bylis-Vllaznia/ Protesta për Rustën, vendasit e bëjnë festë me “DJ”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2026 | 20:37

Pikantet e Bylis-Vllaznia/ Protesta për Rustën, vendasit e bëjnë festë me “DJ”

Në vijim ju sjellim ngjarjet më pikante të sfidës mes Bylisit dhe Vllaznisë:  

martini

– Besnik Kapllanaj dhe Alban Xhaferi e ndoqën ndeshjen së bashku në tribunën “VIP” edhe pse pak më larg njëri-tjetrit të shoqëruar nga stafet e tyre.

– Ka pasur një numër të lartë tifozësh vendas, në ballore, por edhe në tribunën kryesore. Në këtë të fundit binin në sy edhe disa dhjetëra nga Shkodra, ndërsa në anësore “Ultras Vllaznit” nuk munguan dhe mbështetën skuadrën e tyre të zemrës në transfertën e tyre.

– Ka pasur protesta në limitin e kohës së rregullt nga shkodranët që kanë kërkuar penallti, por Rusta e ka zgjidhur situatën, pasi ka shkuar dhe ka parë vetë rastin…

– Duartrokitje në fund të sfidës nga të dyja tifozëritë, ku vendasit kanë qenë padyshim më të ekzaltuar dhe kanë festuar te tifozët dhe për faktin se mundën skuadrën më në formë, por edhe se morën suksesin e parë në kampionat për vitin 2026.

– Tre mungesa ka pasur Bylisi, Përndreca, Koxhi e Sulvari, me dëmtime dhe të pezulluar që e kanë ndjekur sfidën nga tribuna e “Adush Muçajt”, ndërsa te kuqeblutë binin në sy mungesat e Balaj, Kastrati e Gurishta, që ndikuan jo pak në ndeshjen e Ballshit.

– Këngë dhe hare sapo Bylisi shënon duke e kthyer në një atmosferë ndryshe në “Adush Muçaj”. “Dj” në stadium i ka dhënë të tjera ngjyra ndeshjes së ditës së shtunë, teksa në delir kanë qenë edhe tifozët vendas…

PANORAMASPORT.AL