Petrit Baba, president i karatesë, ka kontestime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2013 | 8:30

Petrit Baba, president i karatesë, ka kontestime

Karate article picture 1Federata Shqiptare e Karatesë ka zgjedhur dje forumet drejtuese të saj për katër vitet e ardhshme. Në prezencë të shefit të Sportit Cilësor në Ministrinë e Sporteve, Arjan Konomi, dhe dy anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv në KOKSH, Flobens Dilaveri dhe Viron Bezhani, mandatin e presidentit të ardhshëm e fitoi Petrit Baba. Sipas drejtorit teknik të Federatës Shqiptare të Karatesë, Ramiz Ismailgeci, në këtë proces zgjedhor morën pjesë 19 klube me të drejtë vote dhe të drejtën e anëtarëve të Komitetit Drejtues e fituan Ramazan Zelia, Rezart Spahia, Parid Dule dhe Florian Muça. Ndërkohë, burime zyrtare nga procesi i djeshëm zgjedhor, për “Panorama Sport” bënë të ditur se përpos anës perfekte organizative nuk munguan kontestimet nga Mirandi Backa (kandidati tjetër për president). I njëjti burim bëri me dije se, pas verifikimit të mandateve nga komisioni i posaçëm me një përfaqësues edhe nga grupimi i kandidatit Backa (trajner i Elbasanit), ky i fundit kërkoi mbajtjen e asamblesë në fund të vitit. Propozimi i tij u hodh në votim dhe u rrëzua me shumicë votash 12-7, duke vijuar me rendin e ditës zgjedhjet për president dhe anëtarë të Komitetit Drejtues. Pas kësaj, klubet e Elbasanit tërhiqen nga Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Karatesë.