Përgatitjet për Vllazninë, Kërnaja punon me grup të cunguar te Partizani
Oltijon Kërnaja mbushi një muaj në krye të Partizanit, ndërsa në pesë ndeshje ka grumbulluar 8 pikë. Më mirë gjatë kësaj kohe ka bërë vetëm Gvozdenoviç me 12 pikë tek Elbasani dhe Martini me 10 pikë te Vllaznia. Pasuesi i Mladen Milinkovoviç ka hapësirën e dytë me më tepër se një javë kohë, për të punuar me grupin. Një skuadër në drejtimin e tij, që gjithsesi duhet thënë se është e cunguar.

MOSHAT- Kombëtarja e moshave funksionon si promovim për lojtarët e Partizanit, por në të njëjtën kohë edhe cungon trajnerin për të punuar me gjithë grupin. Partizani ka plot tetë futbollistë që po angazhohen nga ekipi U-17 tek ai U-21. Emrat të rëndësishëm qëndrojnë tek ekipi U-19 dhe U21. Tedi Malaj, Rrok Toma, Besar Gudjufi dhe Gjergji Kote nuk janë në urdhrat e Kërnajës gjatë kësaj kohe.
MUNGESAT- Partizani do të ketë dy mungesa të sigurta ndaj Vllaznisë. Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm, për shkak të impaktit që patën në fitoren ndaj Teutës. Si David Atanaskoski, edhe Diego Kontreras janë të pezulluar për javën e 12-të për shkak kartonësh. Atanaskoski plotësoi numrin e katër kartonëve të verdhë. Në anën tjetër është Kontreras që u largua me karton të kuq pas dy golave të shënuar. Kështu Kërnaja duhet të presë javën tjetër, që Malaj, Toma, Gudjufi dhe Kote t’i bashkohen grupit. Bashkë me dëmtimet dhe pezullimet e Atanaskoskit e Kontrerasit, nuk mund të thuhet se Kërnaja do i marrë maksimumin kësaj jave pushimi në kampionat.
PANORAMASPORT.AL













