Partizani peshkon tek U-21, vjen pasuesi i Tedi Carës. Ja prapaskenat me Guxhufin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2025 | 10:06

Partizani peshkon tek U-21, vjen pasuesi i Tedi Carës. Ja prapaskenat me Guxhufin

Partizani mbyll me sukses lëvizjen e radhës sa u përket afrimeve. Klubi i kuq ka arritur të transferojë Besar Guxhufin nga klubi i Shkupit në Maqedoni.

guxhufi

20- vjeçari në gusht të vitit të shkuar qe transferuar në klubin e kryeqytetit të vendit fqinj, por në harkun e pak muajve situata ndryshon dhe Partizani arrin ta bëjë të vetin si një okazion të merkatos. Gazeta konfirmon se Partizani ka arritur marrëveshjen me Shkupin për blerjen e sulmuesit të majtë për një shifër që flitet të jetë afro 20 mijë euro, vetëm një e pesta e shifrës që pagoi Shkupi për ta blerë nga Beshiktashi U-19. Guxhufi pritet të firmosë për tri vite.

PRAPASKENAT – Para pak muajsh lojtari nga Shkupi vendosi që të zgjedhë të luajë për Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Ai u thirr nga trajneri Bushi në dy miqësoret kundër Moldavisë dhe la shenjë edhe më një asist për Rashicën në ndeshjen e fituar me shifrat 4-0. Ai i nisi të dyja sfidat si titullar, teksa në të parën krijoi tri raste të pastra shënimi. Zgjedhja për të përfaqësuar Shqipërinë nuk është pritur mirë nga maqedonasit dhe kjo flitet të jetë edhe një arsye përse Shkupi e ka aktivizuar vetëm 420 minuta në 12 ndeshje, pesë prej të cilave i ka nisur si titullar. Në këto 5 muaj Guxhufi ka arritur të shënojë një gol dhe të dhurojë një asist.

Largimi i tij nga Shkupi pritej që nga tetori dhe përflitej për kalimin në disa klube të Superiores, por duket se Partizani i ka lëvizur më mirë “gurët” dhe ka arritur të transferojë për një shifër shumë të ulët një lojtar për të cilin në verë u shpenzuan 100 mijë euro. Guxhufi është produkt i akademisë së Vardarit, por debutimin si profesionist e ka bërë me Belascian, para se të shitej te Beshiktashi në vitin 2021. Ai konsiderohet si pasues i Carës.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL