Partizani në treg, çfarë vihet re te kryeqytetasit në këtë edicion
Partizani vlerësohet 5.78 milionë euro në tregun e “transfermarkt”. Të regjistruar me ekipin e parë të “demave” kanë 32 lojtarë, si asnjë klub tjetër i Superiores. Këtu mund të përmendet fakti, që disa lojtarë janë nga ekipi B. Vlera totale e ekipit përfshin edhe Keko e Nondin, të dëmtuar dhe që do mungojnë për një kohë të gjatë.

Vlerë më të lartë ka vetëm Flamurtari, pikërisht 6.38 milionë euro. Ndërsa vlerësimi mesatar për një lojtar, e rendit Partizanin të pestin ndër skuadrat e Superiores. Vlera mesatare është 180 mijë euro. E ndikuar edhe nga numri i lartë i të rinjve, që presin të rriten në treg. Egnatia, Flamurtari, Dinamo dhe Vllaznia vendosen mbi kryeqytetasit.
Megjithatë, Partizani pret të përforcohet me elementë të tjerë në fundin e merkatos. Çfarë bie në sy është se “demat” dhe Bylis kanë ekipet me moshën mesatare më të re. 23.5 vjeç, që tregon edhe se Partizani nuk po mendon vetëm për të tashmen.
Disa futbollistë të akademisë, por edhe të tjerë nga jashtë si Jata, konsiderohen projekte të rëndësishm për të ardhmen. Partizani ka në përbërje 12 të huaj, ndryshe thuajse 40% e gjithë skuadrës. Me largimin e rregullit për futbollistët e huaj që lejohen, raporti mund të kalojë plotësisht në favor të të huajve. Kjo është tendenca e vënë re gjatë kësaj kohe, thuajse në gjithë skuadrat e Superiores.
PANORAMASPORT.AL













