“Partizani, i mbaruar!”, paralajmërimi i presidentit Demi pas derbit dridh “karriget” te Partizani: Të dy të dështuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2026 | 23:52

“Partizani, i mbaruar!”, paralajmërimi i presidentit Demi pas derbit dridh “karriget” te Partizani: Të dy të dështuar

Partizani u mposht nga Tirana në derbi dhe sheh të humbasë një tjetër mundësi për t’u kthyer në “Final Four” e synuar kualifikimin në Europë, objektivi më minimal i të kuqve në këtë sezon. Objektiv i cili nëse nuk realizohet, do të sjellë pasoja të rënda në klubin e kuq, sipas asaj që paralajmëroi presidenti Gazment Demi.

ibraimi kernaja

Një fazë më parë, pikërisht pas derbit të fituar ndaj Tiranës, ai ishte i qartë me paralajmërimin e tij ndaj trajnerit Kërnaja dhe drejtorit sportiv Ibraimi nëse nuk realizohej kualifikimi në Europë i skuadrës.

“Mos flasim më shumë, themi të shpresojmë që ne të shkojmë në katërshe dhe të luftojmë për Kupën. Partizani po nuk doli në Europë këtë vit është i mbaruar, jemi me koeficientin më të madh ne Europë, 7.5.

Unë si president ia kam plotësuar çdo dëshirë si trajnerit, si drejtorit sportiv, i kam thënë do flasim në qershor bashkë. Para disa minutash më mori në telefon drejtori sportiv dhe më kërkoi diçka, i thashë mos më thuaj mua fare, ti vendos dhe unë e bëj. Në qoftë se nuk dalim në Europë, të dy janë të dështuar”, ishin fjalët e thëna për RTSH vetëm dy muaj më parë të Demit.

Situata ka ndryshuar plotësisht nga ajo periudhë dhe tani Partizani e sheh veten jashtë “Final Four” dhe me mundësinë reale që të mbetet jashtë Europës edhe nëse e arrin atë, pasi Dinamo mund të shkojë atje nëpërmjet Kupës. Kësisoj, ai paralajmërim i presidentit pritet të sjellë revolucionin e radhës te të kuqtë në verë ku duket qartësisht se askush nuk e ka vendin e sigurt.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL