Partizani gjen Kekon, gati edhe rikthimi i një lideri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 20:46

Partizani gjen Kekon, gati edhe rikthimi i një lideri

Partizani në këtë sezon ka vuajtur shumë dëmtimet, teksa nuk kanë qenë dëmtime nga ato të lehtat për lojtarët e të kuqve, por është bërë fjalë për dëmtime të rënda që kanë kërkuar ndërhyrje kirurgjikale e shumë kohë për t’u rikuperuar.

keko

Një nga lojtarët që ka pësuar këtë fat të keq ka qenë edhe Albers Keko. Sulmuesi u dëmtua në ndeshjen kualifikuese për Ligën e Konferencës ndaj estonezëve të Nõmme Kalju më datë 10 korrik. 24-vjeçari dëmtoi ligamentin e gjurit dhe iu nënshtrua operacionit, duke humbur në këtë formë pjesën më të madhe të sezonit.

RIKTHIMI- Megjithatë, në ndeshjen e fundit me Vllazninë, trajneri Oltijon Kërnaja e aktivizoi në 10 minutat e fundit të sfidës, me Kekon që mori minutat e para për këtë sezon të ri. Sulmuesi prej disa javësh i ishte bashkuar grupit në stërvitje, megjithatë nuk ishte ende gati për ndeshje zyrtare, teksa ishte aktivizuar vetëm në miqësoren përballë Laçit, duke gjetur rrugën e rrjetës. Për fat të mirë, duket se lojtari ka hedhur pas krahëve këtë periudhë të vështirë dhe mjaft të ngarkuar e është gati për të dhënë kontributin e tij në këtë fund të sezonit, edhe pse në stafin teknik të Partizanit do të kërkojnë ta menaxhojnë sulmuesin për të mos e rrezikuar.

ALTERNATIVAT- Gjithsesi, në javët në vazhdim pritet që minutazhi i tij të rritet, teksa në këtë moment edhe skuadra ka nevojë për alternativa, duke qenë se sulmuesi kryesor Xhuljano Skuka nuk ka pasur vazhdimësinë e duhur për shkak të problemeve fizike, ndërsa zëvendësuesit e tij Toma e Kontreras nuk po arrijnë që të kenë të njëjtin raport me golin si në ndeshjet e fillimit të sezonit. Keko tregoi edhe ndaj Vllaznisë në ato pak minuta shpirtin luftarak, duke i dhënë një “shkundje” ekipit, megjithatë, siç u theksua edhe më lart, sërish sulmuesi do të ketë nevojë për menaxhim, pasi një tjetër dëmtim do të rëndonte shumë për 24- vjeçarin.

MBROJTËSI- Nga ana tjetër, një lajm i mirë për Partizanin është edhe rikthimi në dispozicion i Marcelino Prekës. Mbrojtësi ishte në stol në takimin ndaj Vllaznisë, teksa hera e fundit që 22-vjeçari ishte i gatshëm për “Demat” ishte në derbin e kryeqytetit ndaj Dinamos të 23 dhjetorit 2025. Sakaq, për të gjetur herën e fundit kur Preka aktivizohej me Partizanin, duhet të kthehemi më 4 nëntor të vitit 2025, në sfidën e barazuar 0-0 ndaj Vorës.

Ndaj, ashtu si në rastin e Kekos, edhe aktivizimi i Prekës do të kërkojë kujdes nga stafi teknik, megjithatë fakti që për Partizanin shtohen alternativat është diçka pozitive në një sezon ku dëmtimet kanë “goditur” në shumë raste planet e Partizanit.

Edhe për ndeshjen e radhës me Elbasanin mbetet për t’u parë gjendja e Karlos Martinez, që doli i dëmtuar nga ndeshja me Vllazninë, teksa si zakonisht Marjus Kola do të jetë i gatshëm. Ndërkohë, po në mbrojtje, por këtë herë në krahun e djathtë të saj, do të mungojë David Atanaskoski, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, e në vend të tij do të aktivizohet Paulo Buxhelaj.

PANORAMASPORT.AL