“Nuk kishim marrëveshje për “Arenën e Demave””, drejtori Ibrahmi tregon sherrin në derbi: Provokoi lojtari i Partizanit, unë kapa Taipin…
Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës ka lënë pasojë për të dy skuadrat. Jo vetëm për shkak të rezultatit që ndikoi renditjen, por edhe për ndëshkimet që priten për skuadrat pas sherreve masive në tribuna dhe fushë. Situata të cilat i ka shpjeguar në “Sport News” në “News 24”, vetë drejtori sportiv i Titranës, Agim Ibraimi.

Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, drejtuesi i bardhebluve tregoi se çfarë ndodhi para ndeshjes me vonesën e udhëtimit të Tiranës drejt stadiumit “Arena e Demave”, për të cilin ai tregoi se nuk kishte marrëveshje mes skuadrave. Gjithashtu, ai tregoi edhe përleshjen në fund të sfidës, ku u përfshi edhe ai, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari.
Ibraimi, fillimisht për të qartësuar situatën, disa pyetje shumë shkurt. Pse nuk u zhvillua ky derbi në Arenën Kombëtare? A kishte një plan B nëse Policia e Shtetit nuk do ta merrte përsipër?
Ne jemi munduar që edhe ndeshje të tjera t’i zhvillojmë në “Arenën Kombëtare”, por e favorizuar ka qenë Kombëtarja. Duhet të qartësohemi sa i takon kësaj, pasi në shumicën e rasteve jemi në plan të dytë. Duke parë mungesën e stadiumeve, duhej të zhvillohej në “Arenën Kombëtare”. Mesa kam parë unë dhe mbikëqyrësi i fushës, ka thënë se nuk është fusha gati dhe se rregullohet për ndeshjen e përfaqësueses, që luan në mars. Ne na lajmëruam dy ose tre ditë para.
A kishit ju një kërkesë specifike për zhvillimin e këtij derbi në “Arenën e Demave”?
Nuk kishim marrëveshje. Do donim të kishim më shumë tifozë, kjo do ishte kërkesa jonë.
Është e vërtetë që eskorta e kërkuar nga klubi për të shoqëruar ekipin në stadiumin erdhi me vonesë? I bëjë këto pyetje pasi klubi i Partizanit bën përgjegjës Policinë e Shtetit, ndërsa Policia bën përgjegjës klubin e Partizanit. Në këndvështrimin tuaj, kush ishte fajtor në këtë histori, kush dështoi? Pasi dhe ju jeni palë e prekur drejtpërdrejte nga kjo histori?
Kishte vonesa dhe rrugët ishin të bllokuara. Unë nuk e di si organizohen këto ndeshje, duke marrë parasysh se është derbi më i madh në Shqipëri, vëmendja duhet të jetë më e madhe. Kontrolli duhet të ishte më i madh në rrugë.
A kishit frikë për një moment që situata mund të përshkallëzohej akoma më shumë?
Duke marrë parasysh situatat e kaluara, nuk kishim frikë, edhe pse rrugët ishin të mbushura me tifozë të Partizanit. Fakt është se situata mund të ndryshojë nga situata, ndoshta edhe ndonjë provokim apo ngacmim ndaj autobusit tonë. Mund të ndodhë që të bëhemi gafë e mediave jo vetëm vendase, por edhe të huaja. Ato mezi presin që të shkojë keq dhe të thonë, që jemi kthyer vite mbrapa.
Çfarë ndodhi në ato minuta kaosi në fund? Pse erdhi ajo përplasje mes lojtarëve? Edhe ju ishit shumë aktiv, madje u ndëshkuat me karton të kuq…
Unë edhe gjatë karrierës kam qenë aktiv në situata të tilla. Jam miq me të gjithë, por në fushë mbroj atë që është e imja. Provokimi i lojtarit të Partizanit krijoi një situatë jo të pëlqyer, arbitri i pa vetë gjërat se si nisën. Nuk më pëlqeu rasti, pasi ne shumë shpejt na u dhanë katër kartonë të kuq. Ndaj unë u revoltova me arbitrin. Pastaj u krijua rrëmujë, unë kapa Taipin dhe e largova nga ajo zonë. Këto janë gjëra që ndodhin.
A i druheni një dënimi nga Komisioni i Disiplinës?
Nuk besoj se unë mund të dënohem! Për pasoja nuk e di, do ndikojnë në ndeshjen e radhës. Ata janë vendimmarrës për këtë zgjedhje, i kanë videot. Unë mendoj se për ata që kanë qenë aktorët e problemit, le të merren masa. Marku u ndëshkua me karton të kuq pa bërë asgjë, dua të di çfarë ka ndodhur.
“Bëhu arbitër” ishte një nga videon e publikuara nga klubi i Tiranës pas ndeshjes me Elbasanin, një formë proteste në rrjetet sociale. Sot që flasim, keni ju një apel për arbritrat, a po ndikojnë në sezonin e Tiranës?
I respektoj të gjithë arbitrat. Uroj që të marrin mësim nga të tjerët dhe një ditë të jenë pjesë e Europa League apo Champions. Situata është delikate, nuk dua të flas, nëse do ketë nevojë do flas në fund të sezonit për ta.
Ibraimi, ju shqetëson tabela? Jeni në vendin e parafundit, a rrezikon realisht kaq shumë Tirana?
Ne duam të shikojmë çdo ndeshje si finale. Mos të shikojmë kundërshtarët, mendoj se e kemi ekipin. Kemi pranuar gola në minutat e fundit dhe nëse do kishim ato pikë, ndoshta do flisnim ndryshe.
Këtë javë luani kundër Skënderbeut, në letër është rivali juaj direkt, ju shqetësojnë mungesat? Çfarë pret nga ky takim që do të luhet në “Elbasan Arena”?
Çdo lojtar është i rëndësishëm. Të gjithë janë të gatshëm për të marrë formacionin dhe për t’u shndërruar në futbollist kyç për të ardhmen. Do donim që t’i kishim të gjithë, por ja ku është mundësia edhe për të tjerët.
PANORAMASPORT.AL













