“Nuk kemi presion”, Albano Aleksi paralajmëron Dinamon: Egnatias i shkon për shtat finalja, ta sjellim këtë trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2025 | 21:37

“Nuk kemi presion”, Albano Aleksi paralajmëron Dinamon: Egnatias i shkon për shtat finalja, ta sjellim këtë trofe

Albano Aleksi synon të udhëheqë Egnatian drejt një tjetër trofeu. Nesër kampionët e Shqipërisë do të përballen me Dinamon, në sfidën e vlefshme për finalen e Superkupës.

aleksi

Si e përjetoni personalisht një finale për trofe?

Më bëhet qejfi që jemi përsëri aty në një finale. Ekipi tonë i shkon për shtat finalja, besoj që “Air Albania” na sjell shumë fat dhe normalisht e pres me padurim pasi si do që të jetë është një trofe. Duhet të tregojmë më të mirën tonë si ekip dhe me shpresë të Zotit të madh ta sjellim këtë trofe në shtëpi.

Ekipi vjen si fitues i superkupës në fuqi, presion apo si motiv?

Presion nuk mund të themi pasi nuk kemi pas as kur kemi fituar titull të dytë radhazi, por kjo është një motiv më shumë. Edhe për lojtarët që nuk e kanë fituar, kanë mundësi që ta kenë edhe në bagazhin e tyre të karrierës, shpresojmë që nesër të bëjmë më të mirën tonë dhe do jetë një ndeshje e luftuar por shpresojmë të dalim të fituar në fund.

Cili është roli i kapitenit në menaxhimin e emocioneve dhe balancës së skuadrës në një ndeshje finale?

Dihet se çdo vit kemi pasur Malotën, gjithsesi duke parë eksperiencën e tij, kam fituar dhe unë pak nga eksperienca e tij. Duke parë një më të madh i cili ka luajtur më shumë se ti sigurisht që merr më të mirën nga ai. Dhe unë përpiqem që të jap më të mirën time, që ta mbaj grupin sa më shumë larg emocioneve dhe gjërave negative. Pasi dhe ne jemi një ekip i cili kemi vetëm gjëra pozitive dhe jemi pozitiv me njëri-tjetrin. Normalisht është pak më e lehtë për mua që ta mbaj grupin në këtë mënyrë.

Dinamo është me histori dhe formë të mirë, ku mendoni se do të vendoset ndeshja?

Luajmë përballë një ekipi i cili luan një futboll të bukur si ne, pavarësisht herëve të fundit. Do të jetë një ndeshje e bukur edhe shpresoj se do të ketë sa më shumë tifozë për ta parë. Mendoj se jemi 2 ekipet  më të mira për momentin në futbollin shqiptar. Mendoj se do të jetë kualiteti i lojtarëve dhe shpresoj që në fushë të ketë një ndeshje plot emocione dhe do shihet dhe nga kualitetet e lojtarëve që kanë.

Si është raporti me tifozët e Egnatias dhe ndikimi i tyre në ndeshje?

Thonë që nuk kemi tifozë por ne jemi të kënaqur, sepse ata që vijnë për të na parë heqin kohën e tyre të lirë dhe vijnë tek ne. Eshtë një vlerësim i madh, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, për t’i sjellë sa më shumë emocione dhe gëzime atyre me fitore.

PANORAMASPORT.AL