Nuhiju: Tirana mbijeton me merkaton e janarit, me atë që treguam në fushë…
Tirana vazhdon të ecë në një vijë të hollë mes shpresës dhe rrezikut, në një kampionat ku gabimet nuk falen. Edhe pse bardheblutë nuk arritën të marrin maksimumin ndaj Elbasanit apo sfidat e tjera më herët, paraqitja në fushë tregoi një skuadër më të organizuar dhe më të ndërgjegjshme për rëndësinë e momentit.
Loja e treguar dhe mënyra e menaxhimit të takimit lanë përshtypjen se ekipi ka potencial për të marrë më shumë, por mungesa e konkretizimit po i kushton pikë të çmuara. Pas përfundimit të takimit, trajneri Ardijan Nuhiju vlerësoi maksimalisht paraqitjen e futbollistëve të tij, duke theksuar disiplinën taktike dhe sakrificën kolektive. Sipas tij, Tirana arriti të neutralizojë kundërshtarin dhe të kontrollojë ndeshjen, por detajet dhe episodet e diskutueshme ndikuan që tri pikët të mos vinin.
“Me atë që treguam në fushë janë dy pikë të lëna, sepse e menaxhuam jashtëzakonisht mirë ndeshjen, neutralizuam pikat e forta të kundërshtarit duke mos e lënë të na rrezikojë. Mendoj që me shumë kujdes edhe mund ta fitonim takimin, sepse i patëm rastet tona. Një penallti e diskutueshme, nuk dua ta vlerësoj, por të merren organet kompetente. Mua më pëlqeu skuadra, futbollistët dhe mënyra sesi sakrifikuan gjithçka për të marrë tri pikëshin”, u shpreh fillimisht Nuhiju.
BESIMI TE MBIJETESA – Me shumë ndeshje ende për t’u luajtur, Tirana nuk e sheh veten jashtë garës për shpëtim. Megjithatë, për të përballuar presionin e fazës së dytë të sezonit, përforcimet në merkato mbeten vendimtare. Drejtuesit dhe stafi teknik e shohin janarin si një mundësi për të plotësuar boshllëqet dhe për t’i dhënë skuadrës më shumë cilësi dhe alternativa. Nuhihu tregon sesi mund të shpëtojë Tirana.
“Duhet të presim merkaton e janarit. Është e rëndësishme që afrimet të jenë kualitative, t’i shtojmë këtij grupi të tjerë futbollistë që vërtet kanë luftuar në këto ndeshje shumë. Më pas, çdo ndeshje të jetë si finale. Unë realisht besoj, sepse ka ende shumë ndeshje në lojë. Janari është i varfër në merkato, por po bisedohet me disa futbollistë që janë të lirë dhe të shohim”, mbylli prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ardijan Nuhiju.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













