Një sforco e fundit, Bylisi është i bindur për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2026 | 20:30

Një sforco e fundit, Bylisi është i bindur për mbijetesën

Bylisi mori një fitore me shumë vlera ndaj vlonjatëve, teksa skuadra mallakastriote mposhti në limite Flamurtarin. Një lojë e dominuar nga Bylisi, sidomos në pjesën e dytë, kur ballshiotët shënuan, goditën portën dhe traversën dy herë, duke krijuar raste të shumta.

bylis

Tre pikë me shumë vlerë dhe një diferencë e rritur me vlonjatët, ndërsa synimi është të ruajnë këto pozita e, pse jo, të ngjiten edhe më lart në renditje. Jo më kot janë bërë disa afrime, ndërsa mungesa e Olavios në sulm u ndje, sidomos duke ditur eksperiencën dhe vlerat që ai ka në tërheqjen e skuadrës.

Tashmë ballshiotët shohin përpara, ndonëse janë dy javë ndërprerje për shkak të angazhimeve të kombëtareve. Ata kanë nisur të mendojnë menjëherë për Egnatian, por ajo që bie në sy është se e diela ka qenë ditë “pune”, pasi kanë luajtur U-19 dhe ekipi B. Disa lojtarë nuk janë lënë pushim, por kanë kryer stërvitje, duke nisur nga portieri Sahid, Igor, Kampula, Emini, Sanogo, Buraneli, Gjini, Baruti, Pjeshka, Akibu e ndonjë tjetër.

Shtohen edhe katër lojtarë të grumbulluar me kombëtaret respektive: Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca me U-21, Abubakar Kamara me U17 dhe Aboubacar Kamara me Nigerin e të rriturve. Kjo do të thotë se Josa dhe të tijtë dje kanë qenë pushim dhe vetëm sot do të rikthehen në stërvitje.

Para se të nisë sprinti i fundit, mallakastriotët janë në një periudhë “rehabilitimi”, për të ndezur më pas motorët dhe për t’u përqendruar te transferta me kampionët në fuqi të Superiores, Egnatian, ku Josa bashkë me stafin shpresojnë të udhëtojnë me grupin e plotë. Kampionati tashmë ka hyrë në fazën finale, pasi titulli dhe mbijetesa janë më në lojë se kurrë. Ballshiotët do të luajnë edhe 3 ndeshje në shtëpi dhe 4 në transfertë. Kalendari nuk premton shumë, por te Bylisi bëjnë llogaritë me laps në dorë, pasi skuadra duhet të grumbullojë edhe 7-8 pikë për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Duke parë organikën, Bylisi duket më i kompletuar se disa ekipe të elitës.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL